Shtyhet rivlerësimi i pasurive, afatet e regjistrimit deri më 30 prill, pagesat deri më 31 korrik

Kushdo që ka një truall apo banesë ka afat deri në 30 prill të këtij viti për ta regjistruar atë pranë zyrave kadastrale. Është ky vendimi i miratuar këtë të martë nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë, të cilët vendosën gjithashtu që pagesat e tarifave të regjistrimit të mund të kryhen brenda muajit korrik. Por deputeti socialist, Erjon Braçe, kërkoi nga qeveria që ky afat të mund të shtyhet përtej prillit.

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme është shtyrë deri më 30 prill, ndërkohë që pagesat do mund të shlyhen deri më 31 korrik.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë ka miratuar shtyrjen e procesit për herë të dytë me argumentin se ka shumë interes nga qytetarët, por aplikimet u penguan nga tërmeti dhe pandemia.

"Tërmeti dhe pandemia e tkurri procesin. ASHK kërkon shtyrjen e afatit në mënyrë që invididët që kanë bërë aplikimin të kryejnë pagesën".

Përfaqësuesi i qeverisë, Alban Xhelili, mbështeti propozimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zgjatjen e afatit, pasi sipas tij nga ky proces do të kemi një rritje të të ardhurave të buxhetit të shtetit.

"Pritet që alikimet në periudhën janar-prill 2022 të ketë 20 mijë me vlerë 970 milione lekë".

Për deputetin, Erjon Braçe, afati i shtyrjes deri në prill nuk i jep asnjë mundësi qytetarëve që të bëjnë aplikimin apo të kryejnë pagesat pasi aktualisht kemi numrin më të lartë të të infektuarve dhe pamundësitë ekonomike të qytetarëve janë rritur.

"Deri në prill nuk i japim mundësi askujt. Kush do i bëjë paratë për të paguar atë tarifën e procesit të rivlerësimit ashtu sikurse nuk e di kush do ketë mundësinë fizike të shkojë në bankë ne kushtet kur infektimet pritet të shkojnë 3 mijë".

Procesi i rivlerësimit u jep mundësinë subjekteve të shmangin tatimfitimin prej 15% për transaksionet e pronës, duke paguar një tarifë prej vetëm 3%.

Komisioni i Ekonomisë miratoi dhe shtyrjen e gjobave të fiskalizmit edhe pse opozita insiston në shtyrjen e procesit derisa qeveria duhet të garantojë mbrojtjen e të dhënave të bizneseve.