Gjykata dënon Çilotajt e Fierit, urdhëron që t'i konfiskohet pasuria dhe kompania e ndërtimit
Janë dënuar me 33.4 vite burgim tre anëtarë të familjes Çilotaj në Fier dhe kambisti Xhevahir Troka, si persona që ishin përfshirë në një skemë të falsifikimit të dokumenteve, pastrimit të parave dhe tregtimit të lëndëve narkotike në Fier.
“Ora News”, mëson se vendimi për deklarimin fajtor dhe dënimin e Vladimir Çilotaj (Shpërdheja), Agur Çilotaj, Jonida Çilotaj dhe Xhevahir Trokën, është marrë nga treshja e gjyqtarëve, Taulant Banushi, Sonila Hoxha dhe Eralda Agaj.
13.4 vite burgim gjykata ka dhënë për Vladimir Çilotaj dhe njëherësh heqjen e të drejtën për një periudhë 6 vjeçare për të ushtruar funksione drejtuese pranë personave juridikë.
Pesë vite burgim Gjykata ka dhënë për vëllain e Vladimirit, Agur Çilotaj, i cili akuzohej nga prokurori, Petrit Vukaj, për veprën “penale të Pastrimit të parave”.
Me 4.8 vite burgim është dënuar e pandehura Jonida Çilotaj, por për shkak të gjendjes së saj shtatzënë, dënimi për të është pezulluar për një periudhë kohe 5 vjeçare.
Në këtë çështje Gjykata, ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim kambistin Xhevahir Troka, i cili ka qenë pjesë e skemës së pastrimit të parave nga vëllezërit Çilotaj në Fier, duke përdorur në këtë rast kompaninë e tij “Ladi-2008”.
Edhe kjo kompani është deklaruar fajtore nga gjykata, e cila urdhëroi çregjistrimin dhe shpërbërjen e saj.
Njëherësh Gjykata vendosi që pasuria e sekuestruar që është në emër të personave të proceduar të konfiskohet dhe kalojë në llogari të shtetit, raporton Ora News.
Njëri nga anëtarët e familjes Çilotaj në Fier, Shpëtim Çilotaj, rezulton i dënuar në Itali për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit”.
Ndërsa biznesi i madh që kjo familje menaxhon në Fier, është “Çilotaj Grup LTD”.
Nga hetimet ka rezultuar se ka qenë, Vladimir Çilotaj, ai që ka administruar bizneset e familjes që janë regjistruar në vitin 2008, ndërsa pronat janë blerë dhe janë vendosur kryesisht në emër të babait dhe motrës së tyre.
Nga verifikimi i pasurive dhe të ardhurave të përfituara nga bizneset e familjes Çilotaj, ka rezultuar se, që në vitin e parë, kapitali i këtyre kompanive ishte shumëfishuar, deri në 100 herë brenda vitit, gjë që nuk arrihej të faktohej me fitim real të tyre.
Ndërkohë, Xhevair Troka, është dënuar se nëpërmjet pikës së këmbimit valutor që administronte, kishte ndihmuar vëllezërit Çilotaj që legalizonin paratë e tyre.
Rezulton që ai, në mënyrë të përsëritur, të ketë depozituar në llogaritë e vëllezërve Çilotaj shuma të mëdha parash. Sipas prokurorisë, vëllezërit Çilotaj, edhe kreditë qindra mijëra euro i kanë marrë vetëm me qëllim që të mbulonin prejardhjen e pasurive të tyre të paluajtshme.
Vendimi i Gjykatës
Vladimir Çilotaj- 13 vjet e 4 muaj burgim
Agur Çilotaj - 5 vjet burgim
Jonida Çilotaj - 4 vjet e 8 muaj burgim
Xhevahir Troka - 5 vjet e 4 muaj burgim
Subjekti “Ladi 2008” - “Mbarim personi Juridik”
