“Shtëpia e Lirisë” Fuga: Si përfaqësohet PD-ja nga Komisioni i Rithemelimit? Ka jurist që e pranon këtë?
Pedagogu i njohu Artan Fuga ka komentuar koalicionin e ri mes LSI-së dhe Berishës, duke shkruar në Facebook se nuk e kupton se si përfaqësohet PD-ja nga Komisioni për Rithemelimin.
Fuga shkruan se ky komisioni edhe e zhbën edhe e përfaqëson PD-në në zgjedhje, duke shtuar se kërkohet vendimi i gjykatës për këtë gjë.
Fuga: Lexoj në një media që ka botuar tekstin e koalicionin SH-L. Në fund shënimin: Koalicionin e drejton Partia Demokratike e përfaqësuar nga Komisioni për Rithemelim e Partisë Demokratike!!! Tani ose unë nuk kuptoj nga logjika e Aristotelit, ose ka diçka në kompjuterin tim! Si përfaqësohet Partia Demokratike nga Komisioni për Rithemelimin e Partisë Demokratike? Sepse kjo do të thotë që Komisioni pra ka si identitet të tijin rithemelimin e kësaj që quhet sot Parti Demokratike. Pra, përfaqëson zhbërjen e kësaj partie që sot quhet Partia Demokratike derisa ta rithemelojë.
Pra nuk mund të përfaqësojë atë që po e zhbën! Edhe e rithemelon edhe e përfaqëson! Ka jurist që e pranon këtë? Mundet mundet diku ! Pastaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do një vendim gjykate sipas të cilit Komisioni i Rithemelimit përfaqëson Juridikisht Partinë Demokratike. Se këto punë nuk bëhet as me vetëgjyqësi, dhe as me vetëshpallje. Ku është vendimi i gjykatës? - do pyesi edhe më i humburi, më servili, më i paafti anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor? Ore dini gjë se çfarë bëhet se unë nuk kuptoj gjë!

