Përplasjet Veliaj-Duka, Prokuroria dhe policia në sulm para zgjedhjeve në FSHF

Policia dhe Prokuroria e Tiranës janë angazhuar para zgjedhjeve për kreun e ri të federatës shqiptare të futbollit duke vijuar marrjen në pyetje të trajnerëve dhe përfaqësuesve të klubeve të shoqatës rajonale të futbollit Tirana. Dhjetëra prej tyre janë pyetur në dy ditët e fundit për rolin që kanë pasur në zgjedhjen e Krenar Alimehmetit lidhur me akuzat që kryebashkiaku Erion Veliaj ka hedhur në drejtim të FSHF-së.

Në prag të zgjedhjeve për kreun e ri të federatës shqiptare të futbollit Prokuroria dhe Policia duket se janë vënë në lëvizje duke marrë në pyetje  trajnerët dhe përfaqësuesit e klubeve të cilët ishin të pranishëm në zgjedhjet për kryetarin e ri të shoqatës rajonale të futbollit Tirona.

Të hënën në Prokurorinë e Tiranës u pyetën delegatët dhe anëtarët e shoqatës ndërkohë një ditë më pas në drejtorinë policisë së Tiranës  u paraqitën mbështetësit e Eduard Prodanit i cili ishte kandidat në garë.

Ata janë marrë në pyetje për disa minuta lidhur me padinë e bërë nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj dhe Plarent Ndreca. Sipas burimeve në polici ata kanë rrëfyer rolin e tyre dhe zgjedhjet e zhvilluara dhe kanë treguar për personat që pretendohen nga ana e Eduard Prodanit si anonimë.

Deri në këtë fazë Prokuroria është në mbledhjen e dëshmive dhe personave të cilët kanë qenë në sallë e ndërsa hetimet po vijojnë edhe për përfaqësuesit e FSHF.

Në kallëzimin e bashkisë pretendohet për veprime të kundraligjshme të ndërmarra nga Sekretar i përgjithshëm i FSHF Ilir Shulku dhe sekretari i shoqatës rajonale të futbollit Ardian Haçi, në procedurën e zgjedhjes së Kreut të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës.  

Fitues i kësaj gare u shpall Krenar Alimemeti me 44 vota pro, 2 kundër dhe vetëm një abstenim.