Ish trajneri i Chelsea në telashe, e akuzojnë disa gra për ngacmim seksual
Akuza të forta dhe të rënda janë bërë publike në drejtim të Avram Grant.
Ish trajneri i Chelseat, ishte subjekt i një dokumentari televiziv izraelit në të cilin ai është akuzuar për një sërë veprash ngacmimesh seksuale, të cilat besohet se kanë ndodhur gjatë karrierës së tij profesionale në futboll.
Ish-trajneri i Chelseat u akuzua për një sërë komentesh seksuale ndaj grave në ndërkohë që mbante një rol drejtues në futboll, si dhe disa gra që e akuzuan atë për përdorimin e pozicionit të tij të spikatur brenda sportit për t'i detyruar ato në marrëdhënie seksuale.
Televizioni izraelit Channel 12 transmetoi të dielën një seri intervistash me gra të cilat pretenduan se Grant kishte bërë tentative për t’I joshur ndërsa ofronte ndihmë për të çuar përpara karrierën e tyre. Gratë, të cilat nuk u identifikuan, përfshinin një ushtare izraelite të liruar së fundmi, një modele dhe një reportere sportive.
Grant drejtoi Chelsean në sezonin 2007-2008 dhe gjithashtu drejtoi Portsmouth dhe West Ham në Premier League. Tekniku izraelit lëshoi një deklaratë duke thënë se ai "gjithmonë i ka trajtuar të gjithë me respekt dhe i vjen keq nëse dikush është lënduar nga veprimet e tij"./Ora News/.
