Laçi i përgjigjet Tiranës. Lushkja largohet me gol, dënon Partizanin

Ndoshta vetëm Laçi do të mund të mbajë hapin e Tiranës në Superiore. Kurbinasit i përgjigjen fitores së bardhebluve teksa mposhtën Partizanin në duelin e luajtur në shtëpi përpara një numri të konsiderueshëm tifozësh.

Skuadra e Josës mori një fitore minimale ndaj të kuqve në një ndeshje shumë të ekuilibruar dhe tepër të luftuar mes skuadrave.

Pjesa e pare e takimit dukej sikur ishte një strategji e gjatë studimi mes ekipeve pasi rastet ishin pothuajse zero për shënim nga të dyja ekipet.Vetëm një rast në 13’ për vendasit me Zarubicën kërcënoi portën në pjesën e pare teksa e dyta ishte më ndryshe.

Vendasit rrisin presionin ku Lushkja jep sinjalet e para në 64’ me një gjuajtjë të rrezikshme.

Nuk vonon pak minuta më pas përgjigja e Partizanit me Skukën i cili rrezikoi portën por gjithashtui pati një tjetër rast edhe në 71’ pa ia dalë të dërgonte topin në rrjetë.

Në momentet kur të dyja skuadrat mund të shënonin, ishte Lushkja që me një goditje fantastike fluturimthi dërgon topin në rrjetë në 79’ duke i dhënë avantazhin Laçit.

Një gol i rëndë por një gol lamtumire për lojtarin që përgatitet të transferohet te Sheriff Tiraspol në Moldavi.

Minutat e mëpasshme janë emocionuese por kurbinasit mbrohen mirë dhe arrijnë të marrin 3 pikë që i çon të vetëm në vendin e dytë me 34 pikë, 6 më pak se Tirana./Ora News/.