Studentët mbeten pa abone, problemi i përsëritur në linjat e transportit të kryeqytetit
Studentët e Tiranës janë lënë pa shërbim nga linjat e transportit publik të kryeqytetit. Abonesë e studentit mungojnë në të gjitha pikat e shitjes ndërkohë që të rinjtë thonë se ky problem vazhdon që prej ditës së parë të hapjes së universiteteve. Një prej shkaqeve të kësaj situate duket edhe dështimi I kartës së studentit, e reklamuar shpesh si një sukses nga bashkia e Tiranës.
Transporti publik në Tiranë ka lënë në baltë studentët të cilët që prej tetorit, kur procesi mësimor ka filluar në universitete, nuk kanë arritur të pajisën me abone.
Një vëzhgim i kryer nga Ora News, evidentoi faktin se nga pikat e shitjes së aboneve të studentit nuk kishte në shitje një të tillë.
Studentët shprehën se një ndër arsyet e mungesës së aboneve lidhet drejtpërdrejt edhe me kartën e studentit, e cila është e vetmja mënyrë për ta siguruar abonenë me vlerën 600 lekë të reja. Prej katër muajsh në pritje të pajisjes me kartën studentore, studentët thanë se ende nuk ka një njoftim zyrtar për të.
Përveç studentëve të vitit të parë, të cilët e kanë të pamundur të pajisen me abone për shkak të mungesës së kartës studentore, ata që studiojnë në vitet e tjera u shprehën se ky është një problem i hershëm, pasi numri i aboneve ka qenë gjithmonë shumë më i vogël se numri i studentëve.
Edhe abonetë e përgjithshme në mënyrë të vazhdueshme kanë sjellë shqetësim tek qytetarët. Përgjatë muajve qershor-korrik-gusht Bashkia e Tiranës hoqi abonetë e përgjithshme për linjat e transportit publik.
Por që pas rikthimit të abonesë së përgjithshme peripecitë për ta siguruar atë kanë qenë të vazhdueshme.
Nëpërmjet një video që u shpërnda në mediat sociale, një nga pikat e shitjes së këtyre aboneve në zonën e Kamzës, ka mbipopullim e radhë të gjata për shkak të vonesës së daljes në treg të dokumentit.
Raportimi i gazetares Katerina Hysenllari.