"Rikthim në shtëpi" Momente nostalgjike nga e kaluara për ditëlindjen e RTV Ora News
Radio televizioni Ora News feston sot 15-vjetorin e ditëlindjes.
Në një program special në emisionin "Ditë e Re" dedikuar punës së palodhshme ndër vite, të ftuar ishin gazetarë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në televizion.
Alma Janka dhe Aulon Kalaja kujtojnë eksperiencat e tyre si pjesë e familjes së Orës.
Alma Janka thotë se fillimet në televizion ishin shumë sfiduese dhe se shumë herë dilte në transmetim live pa ditur se çfarë e pret.
Alma Janka: E kam nisur këtu përvojën ndryshme me hapësirat live. Edhe kur nuk dinim informacion do futeshim në Live. Drejtori jonë Alfred Peza na thoshte gjithmonë futu se do ta marrësh vesh rrugës çfarë po ndodh, edhe kur nuk kishim informacion ne hynim në studio. Por ka qenë eksperiencë shumë e bukur.
Ajo kujton momentet gazmore në studio.
Janka: Përveç emocioneve që përcillen në terren, emocione të forta ka pasur edhe në studio. Unë isha në studio, shkëputet një prozhektor dhe unë u tremba, nuk po kuptoja çfarë po ndodhte dhe normalisht duhet të ruaja qetësinë. Isha në transmetim live, kur kuptova se çfarë po ndodhte më kapën te qeshurat, kolegët e kuptuan se nuk po mbaja më të qeshurën dhe mbajtën dy kronika rresht, deri sa të më kalonte e qeshura. Në transmetim live më ka rastisur edhe tërmeti.
Ndërkohë gazetari Aulon Kalaja, tregon emocionet e ditës së parë te Ora News. Ai thotë se në fillim askush nuk i fliste dhe se e vetmja që i foli ditën e parë ishte Alma Janka.
Auloj Kalaja: Jam bërë pjesë në vitin 2009, ka qenë prag fushate elektorale për zgjedhjet parlamentare. Pa diskutim kanë qenë ditë shumë të vështira, sepse televizioni kishte ngarkesë shumë të madhe dhe askush nuk mund të merrej me një gazetar të ri si puna ime. Raportimi im i parë ka qenë në një nga shkollat te Ali Demi. Emisioni i parë te Ora News kam drejtuar emisionin "Kioska" gjatë muajve të verës. Pastaj kam drejtuar "Ora e Kulturës", "Ora Live", kam qenë përgjegjës për dokumentarët e Ora News. Do të veçoja ditën e parë të punës. Ndërkohë që ditën e parë të punës nuk më fliste asnjeri, duke filluar që nga shoferi dhe operatori, të cilët me shikonin me inat, sepse mendonin se po i zija vendin. Njeriu që më është afruar që në momentin e parë ka qenë Alma.


