15 vjet Ora News/ Sfida dhe momente suksesi, rrëfime nga stafi i televizionit

“Të parët për lajmin e fundit”, kjo është motoja i radio televizionit RTV Ora dhe Ora News, i cili  feston sot ditëlindjen e 15-të.

Puna e palodhshme e të gjithë stafit para dhe pas kamerave ka bërë që radio televizioni "Ora News" të jetë një media e fuqishme me shumëllojshmëri programesh.

Por televizioni nuk është vetëm ajo çka duket në ekran, pas kamerave ka në staf të tërë që mundëson  transmetimin e programacioneve. Për rrjedhojë të ftuar në emisionin "Ditë e Re" në ekranin e RTV Ora ishin operatorë, regjisorë, inxhinierë dhe përgjegjës skene, puna e të cilëve ka rëndësi të madhe në prodhimin e produktit mediatik.

Njëri ndër ta është Lulzim Gjoka, operatori më i vjetër i televizionit Ora News. Ai tregon emocionet e ditës së parë të transmetimit live, vështirësitë dhe sfidat që ka kaluar ndër vite.

Lulzim Gjoka: Dita e parë, ishte ditë normale në darkë u bë rrëmujë e paparë dhe nuk po kuptonim çfarë do ndodhte, sepse ishim në provë, do kishim lidhje direkte të nesërmen. Te Ora ka qenë gjithmonë vështirë, nuk ishim të sigurt a do na flisnin për intervista. Jemi ndjerë shumë keq në terren, ka qenë Gërdeci, ka qenë 21 janari. Erdhi turma në fillim dhe na gjuanin me gurë, mendonin se ishim me anën e qeverisë.  Kam qenë në kat të tretë te kullat dhe na binin copëzat e xhamit mbi kokë. filloi gazi lotsjellës.

Ai thotë se stafi I RTV Ora është zgjeruar ndër vite.

Lulzim Gjoka: Kur e filluam ishim vetëm 3 operatorë, sot jemi 8 operatorë terreni. Përshëndes të gjithë ata operatorë që kam tani dhe ata që kanë ikur. Uroj që Ora të rritet edhe në staf.

Ndërkohë, Gerald Pasmmaçiu,  operator prej 10 vitesh në televizionin e RTV Ora thotë se energjia pozitive e stafit është ajo që e motivion atë çdo ditë të vijë në punë. Ai thotë se teknologjia në televizion përmirësohet nga viti në vit.

Pasmaçiu: Mëngjesi është i lodhshëm sepse është ideja e transmetimit live, por kemi një energji shumë të mirë. Kam 10 vite këtu. Një ndryshim drastik i RTV Ora është që ngrihet çdo vit nga teknologjia.

Përgjegjës i skenës, Gëzim Dauti teksa tregon për eksperiencën shumëvjeçare në televizion ndër vite, thotë se e kupton stresin e moderatorëve para transmetimit live dhe se nga viti në vit puna në televizion shtonte.

Gëzim Dauti: I uroj Orës edhe 100 vjeç të shëndetshme dhe të lumtura. Më kanë vënë një epitet je shumë nevrik. Unë bëhem nevrik sepse jam merakli shumë.  Unë jam lidhur me Orën që nga fillimet. Nesër më gatë 1 shkurt bëj 15 vjet te Ora. Por ndërkohë kam ardhur kam ikur, sepse kam pasur probleme. Njerëzit ishin më kërkues. Ka pasur shumë punë. Duke ardhur nga vioti në vit puna shtohej. Nga viti në vit shtohej puna.  E kuptoj stresin e moderatorëve para emisionit, do bashkëpunosh se s'bën.

Inxhinieri, Anesti Nasi prej 12 vitesh i  është bashkuar familjes së RTV Ora,  e cila sot feston 15-vjetorin. I ftuar në studion  e emisionit Ditën e Re ai rrëfeu përjetimet e para kur ka filluar punë.

Nasi: Kur erdha unë puna kishe nisur. Gjatë rrugës pati shumë zhvillime si televizion, normalisht edhe teknologjia ka ecur. Filloi me transmetime analoge, më pas kaloi me transmetime dixhitale dhe tani HD.  Në krahasim me atë që është tani Ora News, është zhvilluar 3-4 herë si studio, regji, staf, ka më shumë njerëz që punojnë. Si teknologji padyshim është zhvilluar. Ora News kishte një transmetues të fuqishëm në Dajt. Unë sa kisha filluar punë.

Inxhinieri Nasi rrëfeu punën më të bukur dhe të vështirë që ka bërë në RTV Ora.

Nasi: Puna më e bukur është multifunksionale, në studio. Punë të vështira ka plot. Punët e teknikës nuk mund të krahasohen me punën e terrenit dhe të gazetarëve. Situata të vështira ka plot, por do të përmendja një që lidhet me këtë studio. Në RTV Ora dhe Ora News në përgjithësi studiot e transmetimit janë ideuar dhe ndërtuar nga stafi. Këto që janë ndërtuar këto 10 vjet e këtej. Kam punuar për ndërtimin e studiove. Është një punë e madhe që bëhet për ndërtimin e studios por jo gjithçka shkon ashtu si duhet. Ne punuam gjithë natën që studion e emisionit Ditë e Re të ishte gati të nesërmen në orën 10:00. Ishte transmetimi i parë në këtë studio.

Në fund dhe jo më pak i rëndësishëm, Bojken Lako, regjisor thotë se në punë e tij, janë detajet ato që e shqetësojnë gjithmonë, por fryma pozitive dhe komunikuese e stafit  e mban atë të motivuar për të dhënë më të mirën e tij në televizion.

Bojken Lako:Mu duk e tepruar kur më thanë të punoj për emisionin. Kudo që kam punuar, është marrëdhënia ,e njerëzit e teknikës. Këtu kam gjetur  mjë staf profesional, një grup të mirë me marrëdhënie të mirë.  Kam gjetur shumë kënaqësi, sidomos në komunikim.

Regjia është një punë e bukur. Nuk e quaj veten regjisor, e bëjmë punën me dashuri me qejf. Më shqetësojnë gjërat e vogla, detajet. Më shqetëson roli i drejtorit të fotografisë që nuk vlerësohet aq shumë. Por kënaqësitë janë më të mëdha se sa detajet e vogla.