Escobar: Nëse PD udhëhiqet nga një person non grata, nuk mund të priten marrëdhënie normale

I dërguari i posaçëm i Presidentit Biden, Gabriel Escobar ka folur edhe për qëndrimin amerikan rreth situatës së krijuar në Partinë Demokratike në Shqipëri pas sanksionimit të ish-kryetarit Sali Berisha.

Escobar u shpreh se nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie.

Ai shtoi se nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të priten marrëdhënie normale.

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale.” – tha Gabriel Escobar për Reporteri.net.