Incineratori dhe "5 Maji" në SPAK, Tabaku: Veliaj ka paguar 60 mln euro për diçka që nuk ekziston
Dy padi të tjera paraqiten në SPAK ndaj Erion Veliaj. Jorida Tabaku shprehet se kryebashkiaku i Tiranës ka paguar 60 milionë euro për koncesionarin e Tiranës kur incineratori ende nuk ekziston. Nga ana tjetër PD ka depozituar kallëzimin edhe për tenderin e rrugës "5 Maji", ku Veliaj akuzohet për shkeljen e barazisë në prokurime me një vlerë 10 milionë euro.
Akuzat për miliona euro të shpenzuara për landifllin e Tiranës nuk e kanë shqetësuar mazhorancën.
Në seancë kryetarja e Komisionit Hetimor për incineratorët ka deklaruar se në disa vite bashkia e Tiranës ka paguar shuma marramendëse për një shërbim që koncesionari nuk e ka ofruar dhe kjo zbulohet nga raporti i KLSH-së.
"Ai thotë që bashkia Tiranë e ka trefishuar koston e pastrimit me marrjen e kontratës koncensionare dhe mbulon vetëm 22% të vlerës së saj. Pro kjo nuk është pjesa më e rëndë, pjesa më e rëndë është që ka një kontratë të cilën e kanë firmosur për 40.3 euro për ton për mbetjet, që e paguan ndërkohë që flasim vazhdon e paguan. Ndërkohë që KLSH thotë nuk ekziston incineratori, nuk bëhet procesi i incenerimit, është thjesht një landfill. Ka 3 vite që Erion Veliaj ka paguar mbi 60 milionë euro për një proces që nuk ekziston," tha Tabaku.
Jorida Tabaku shprehet se materiali voluminoz do të dorëzohet në SPAK, prej të cilit kërkon hetim konkret.
"Kam shkresa pa fund që do t'i çoj në SPAK. Dyshoj shumë që mund të lëvizë te njerëzit me pushtet, por askush nuk ka për ta kompleksuar PD për t'i shkruar deri në fund kësaj afere," shtoi Tabaku.
Një tjetër akuzë e PD është dhe ajo për shembjen e ndërtimeve në rrugën "5 Maji"
PD akuzon Veliajn dhe titullarët e Bashkisë në shkeljen e barazisë në tendera me vlerë më shumë se 10 milionë euro.
Në dokument selia blu kërkon dhe masën e sekuestros preventive për projektin.
