Zjarr në një banesë në Korçë, humb jetën 67-vjeçari, dyshohet se viktima vuante nga probleme të shëndetit mendor
Një person 67-vjeç ka mbetur i vdekur, si pasojë e flakëve që ka përfshirë një banesë në Korçë.
Burime për Ora News, bëjnë me dije se zjarri ka rënë në një banesë në afërsi të Shkollës së Muzikës në lagjen nr. 5, ku për shkak të asfiksisë, ka humbur jetën shtetasi E.R.
Gazetarja Iris Rrezhda bën me dije se shtëpia e djegur nuk ishte e viktimës por e një shoku të tij që jetonte në Tiranë.
Shkak i zjarrit dyshohet të jetë një ngrohëse.
Ndërkohë fqinjët për mikrofonin e Ora News, thonë se viktima ishte me probleme të shëndetit mendor, ndërsa njëri prej tyre ka treguar se është future brenda banesës por që për shkak të tymit nuk ka arritur që të shkojë deri te viktima për ta shpëtuar.
“Hipa mbi makinë dhe hapa penxheren. Po bërtisja a ka njeri, mu përgjigj që ka. Më pas hapa derën dhe hyra brenda por nuk mund të qëndroja se i gjithë vendi ishte tym. Ai ishte gjallë akoma. Më pas erdhi zjarrfikësja. Ishte i sëmurë, vuante nga shëndeti mendor.”
"Më datë 27.01.2022, rreth orës 20:45, në lagjen nr. 5, ka rënë zjarr në një banesë, ku jetonte përkohësisht shtetasi E.R., rreth 67 vjeç, i cili për pasojë dyshohet se nga asfiksia, ka gjetur vdekjen."- njofton policia.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po bëjnë të mundur shuarjen e zjarrit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

