Rrinë “qyl” në Kuvend, nga Berisha, Gjinkuri, Klosi e Kodheli, cilët janë deputetët me zero fjalime

Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ka edhe deputetë që për legjislaturën e re nuk ka mbajtur asnjë fjalim.

Kështu, në listën e deputetëve që nuk mbajtën asnjë fjalim në seancat plenare të sesionit shtator-dhjetor 2021 bëjnë pjesë 18 deputetë, nga të cilët, disa janë figura të njohura politike.

Sipas një monitorimi të Institutit të Studimeve Politike bëhet fjalë për emra si Sali Berisha, Mimi Kodheli, Blendi Klosi dhe Damian Gjiknuri (PS).

Po ashtu, fjalime nuk kanë mbajtur as prurje të reja si Benet Beci (PS), Alqi Bllako (PS), Ornaldo Rakipi (PS), etj.

Në listë bëjnë pjesë edhe “të përhershmit” Agron Çela (LSI), Rrahman Rraja, Luan Duzha, Ilir Ndraxhi e Paulin Sterkaj (PS), por edhe 2 deputetët e rinj të PSD-së.

ISP bën me dije se këta të fundit kanë votuar rregullisht pro mazhorancës, pa qenë pjesë zyrtare e saj, megjithatë nuk kanë pasur aktivitet as në komisione dhe as në seancat plenare.

Disa prurje nga biznesi, pa përvojë dhe mendim politik, vijojnë të jenë gjithnjë në pjesën më inaktive në jetën politike dhe në parlament.

“Çështja është, kur disa deputetë nuk marrin pjesë në debatet parlamentare, nuk marrin pjesë ose nuk janë aktiv në komisione, nuk iniciojnë ligje dhe as ushtrojnë kompetencat e tjera parlamentare, atëherë përse kanë dashur të jenë deputetë, përse kanë kandiduar dhe çfarë përfaqësojnë në politikë.” – thekson ISP në monitorim.