Operacioni “Astrolabio”, 10000 euro për tu futur në BE, arrestohet një person në Vlorë
Ka vijuar operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Astrolabio”, ku ka shkuar në 19 numri i të arrestuarve në Shqipëri, në kuadër të këtij operacioni.
Kështu, është kapur në Vlorë me inicialet K. L., një prej të kërkuarve në kuadër të këtij operacioni.
“Vihet në pranga K. L., për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” - bën me dije policia.
Më herët, në Shqipëri janë arrestuar 18 persona, në kuadër të operacionit “ASTROLABIO”, i cili u zhvillua në sinkron me autoritetet gjyqësore dhe ato të zbatimit të ligjit shqiptare, italiane dhe greke, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore.
Gjatë hetimeve të kryera është dokumentuar se pjesëtarët e katër grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim drejt vendeve të tjera të BE-së.
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm, kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar që varionte nga 5000 deri në 10000 euro, i kontrabandonin ata në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Materialet i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

