Shembjet te "5 Maji", Kalaja: Vepra penale ka filluar që në gjenezë, VKM korruptive për interesa private

Banorët e "5 Majit" dhe Laprakës protestuan paraditen e 27 janarit para Kuvendit për shembjen e banesave të tyre në kuadër të procesit të rindërtimit. Ata thanë se ndihen të braktisur edhe nga opozita ndërsa kërkojnë trajtim sipas ligjit nga qeveria.

Juristja Adriana Kalaja e ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj tregoi momentet kur mund të bëhet një shpronësim publik.

Kalaja: Një shpronësim publik bëhet edhe nga fjala vetë që e ka parashikuar ligjvënësi kur në pronën e përcaktuar me ligj do ndërtohet një vepër e caktuar për interesa të gjera publike. Deri në momentin e shporndësimit ligji ka parashikuar dhe disa hapa për të shkuar deri në momentin që e kemi parë rëndom edhe në zona të tjera siç ka qenë ajo e Shkozës, Unazës së Re, Bregut të Lumit.

Juristja tha se në të gjitha zonat ku ndërhyhet me justifikimin për interes publik shikohen pikë së pari, bëhet një analizë e hollësishme nga shteti se kush mbizotëron në këto zona.

Kalaja: Janë prona të legalizuara, janë prona të regjistruara me pronar në hipotekë apo janë prona me proces legalizimi. Dhe po ta shikosh në pjesën dërrmuese, aty ku ndërhyhet për vepra me interes publik, që në fakt nuk janë, janë zonat të cilat kanë një numër shumë të madh të pronave që janë në proces legalizimi. Ka disa parashikime në Kodin Civil; nuk mund të shkosh te një regjistrues prone nëse ai ka minimalisht të paktën që e posedon atë pronë. Ligji thotë nëse një përdorues prone ka një periudhë kohe mbi 20 vjet, direkt është kalimi në pronësi të subjektit, individit nëse quhet me parashkrim fitues. Pra ne jemi në rastin kur të gjithë këta qytetarë të cilët janë prekur nga projekte të tilla, sipas Kodit Civil quhen pronarë të ligjshëm.

Zonja Kalaja shtoi se shqetësuese është edhe VKM që flet për fazën e rindërtimit, pasi në gjykimin e saj është korruptive.

Kalaja: Është një VKM korruptive, është një VKM që lidhet edhe me një shoqëri që ka ngritur bashkia Tiranë dhe që titullohet Tirana DC me aksioner të vetëm bashkinë Tiranë dhe në objektin e aktivitetit kjo shoqëri sipas vendimit të Këshillit Bashkiak ka vetëm rindërtimin. Ndërsa sipas regjistrimit në QKB me urdhër të Veliajt gama e aktiviteteve të DC të jashtëzakonisht e madhe. Është një VKM që është marrë 2 vjet pas rënies së tërmetit dhe është një VKM që në mënyrë tinëzare, dashakeqe dhe me një efekt shumë negativ te qytetarët. Vendin e ndërtimit e bën të ndryshëm nga vendi ku është fatkeqësia e tërmetit. Pra jemi në një situatë absurde. Një fatkeqësi kërkohet të zgjidhet me një fatkeqësi tjetër edhe më të rëndë.

Kalaja tha se Erion Veliaj dhe të gjithë ata që kanë gisht në shembjen e këtyre banesave duhet të përgjigjen. Ajo shtoi se "vepra penale ka filluar që në gjenezë pasi ky nuk është një ndërtim në interes publik, është një ndërtim publik për interes privat."