Tiranë, nxënësit rikthehen në klasat akull pas 3 ditësh pushim. Ngrohen me batanije
Tre ditët e pushimit nuk janë zgjidhje për të përballuar të ftohtin në shkolla. Nxënësit e rikthyer këtë të enjte në banka tregojnë se e kanë të vështirë të përqendrohen në mësim pasi ngrijnë. Gazetarja Katerina Hysenllari sjell vëzhgimin në disa shkolla të Tiranës dhe zërin e fëmijëve.
Procesi mësimor rifilloi te enjten pas 3 ditësh të mbyllura për shkak të temperaturave të ulëta. Por asgjë tjetër nuk ka ndryshuar. Në shkolla mungon sistemi i ngrohjes dhe në këto ditë të ftohta janari nxënësit janë të detyruar ta sigurojnë vetë ngrohjen.
Të pyetur se si e menaxhojnë situatën e të ftohtit kur në shkolla sistemi i ngrohjes mungon, nxënësit u shprehën se e kanë të vështirë të përqendrohen në mësim.
"Edhe për të shkruar është pak e vështirë sepse duart na ftohen."
"Na ngrijnë duart."
Disa kanë marre ngrohëse nga shtëpia, të tjerë mbledhin paratë që të blejnë një të përbashkët.
"Janë kaldajat, pro nuk punojnë, janë djegur. Ndërkohë po përdorim ngrohëse të vogla, mbledhim lekët së bashku dhe i blejmë."
"Rezistencën e kemi personale."
Të tjerë veç xhupave dhe kapuçave, mbështillen me batanije.
"Me batanije."
Disa shkolla përdorin kaldajën për të siguruar ngrohjen, por me orar te kufizuar.
"Ne e kemi ngrohësen tonë personale. Dhe shkolla ka kaloriferët, pro kaloriferët janë me orar, deri në orën 11:00."
Prej vitesh sistemi arsimor parauniversitar në Tiranë është në këtë gjendje pavarësisht se autoritetet lokale flasin për investime në materialet e gatshme që servirin në media. Tre ditët e pushimit nuk janë zgjidhje për nxënësit, pasi i ftohti zgjat 3 muaj.

