"Jam më i votuar se 6 deputetët e PD në rresht të parë", Luan Baçi debat me Nikollën për ndërrimin e vendit

Edhe seanca e të enjtes nisi me kritika nfdaj kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla për moszbatimin e rregullores.

Luan Baçi: Kemi një sinjalizues përpara  ku kërkojmë fjalën për procedurë, ju ose bëni sikur nuk shikoni ose neglizhoneni. Në të dy rastet nuk është gjë e mirë për vendin ku jeni ulur. Rastet kanë qenë të përsëritura, personalisht me mua, ku nuk e jepni fjalën. Duhet të çohemi në këmbë, ndoshta dhe të bërtasim për të marrë fjalën. Do ta bëjmë dhe këtë në fund fare nëse nuk na kushtoni vëmendje.

Por deputeti Baçi nuk kishte vetëm këtë shqetësim. Në fjalën e marrë për procedurë ai e bëri të qartë se nuk e ka kapërdirë ende spostimin në fund të rreshtit së bashku me kolegët e tjerë demokratët të rreshtuar përkrah Berishës të cilët u përjashtuan apo pezulluan nga grupi parlamentar i PD pas protestës së 8 janarit.

Luan Baçi:Të hënën e kaluar në seancë u paraqita këtu në parlament dhe te vendi ku duhet të ulesha gjeta një emër të tjetër. Të paktën ju paradhënie kur merrni një porosi nga një deputet siç është zoti Basha që mund tu sjellë shkresë pas shkrese për tu ndërruar vendet deputetëve si nxënësit në shkollë dhe ju jeni drejtoresha e shkollës ku duhet të dënoni një nxënës për ta çuar në rreshtin e fundit duhet të konsultoheni para se të merrni këto vendime, para të bëni përjashtime nga grupi, pezullime, është në detyrën tuaj të marrim informacion paraprak para se të ndodhemi në situata jo të mira. Dikush më tha emrin e ke në korridor, do rrish në korridor.

Këtë vendin këtu nuk ma keni caktuar as ju, as zoti Basha, as kushdo tjetër. Për dijeninë tuaj dhe zotit Basha unë jam deputet i qarkut të Fierit dhe deputeti më i votuar nga 6 deputetët e opozitës që mund të radhiten atje në fillim. Mua më përjashtojnë nga grupi parlamentar vetëm demokratët, votuesit tanë, jo ju me zotin Basha. Hiqni dorë nga marrëveshja që keni të hapur tashmë duke zbatuar me përkpikmëri çdo porosi të zotit Basha. Është mbyllur historia e mbajtjes në krye të opozitës të një njeriu që është peng i mazhorancës. E kanë mbyllur demokratët në Kuvendin e 11 dhjetorit me 4446 vota pro, shkarkimi i tij dhe në18 dhjetor ratifikimi i këtij vendimi nga 44 mijë anëtarë të PD.