Përplasjet Berisha-Basha, Kaso: Të ketë konsensus mes palëve, në zgjedhjet e 6 marsit të shkojmë bashkë

Më 6 mars do të mbahen zgjedhjet vendore në 6 bashki të vendit. Ndërkohë nuk dihet se si opozita do të futet në zgjedhje pasi prej kohësh mes ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Lulzim Bashës, ka pasur përplasje.

Ndërkohë në Kuvendin e 11 dhjetorit u krijua dhe Komisioni i Rithemelimit që sipas Berishës udhëheq përkohësisht PD.

Në lidhje me këtë anëtari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike Ivi Kaso,  në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, tha se në zgjedhje duhet të shkojnë të bashkuar.

Ivi Kaso: Kemi shansin që të bashkohemi përreth  kutisë votimit më 30 janar, t’i lëmë ato gjëra që na ndajmë dhe të fokusohemi te shumë gjëra që na bashkojnë. Të gjithë vizionet tona, alternativat tona, por dhe akuzat drejtuar njëri-tjetrit të ja lëmë  gjykimit të sovranit që në këtë rast është anëtarësia  e PD. 

Shpresoj që të ketë konsensus, jo vetëm nga liderishipi aktual i PD, por dhe nga ish-liderishipi i shkarkuar i PD, por mbi të gjitha nga të gjithë ata që kanë ambicie për të kandiduar më 6 mars që të binden që pa kaluar nëpërmjet filtrit të votëbesimit të anëtarësisë së PD, nuk mundet që ta konsiderojnë veten kandidatë real në një garë përballë kundërshtarit politik.

Ai tha se duhet gjendur një konsensus brenda dy palëve politike dhe në zgjedhjet e 6 marsit të shkojnë së bashku.

Ivi Kaso: Të gjejmë një konsensus brenda familjes sonë politike dhe të gjithë së bashku të shkojmë në zgjedhjet e 6 marsit. Kriza brenda PD duhet të zgjidhet me mekanizma politikë.

Përgatiti Anila Kolgjini.