Vendoret/ Kaso: Po zhvillojmë kontakte intensive me aleatët, na bashkon vizioni për një front opozitar
Partia Demokratike ka depozituar në KQZ dokumentacionin në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 6 marsit për kryetarët e rinj të gjashtë bashkive. Në dokument kërkohet regjistrimi i PD me kryetar Lulzim Bashën.
Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike Ivi Kaso në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, është shprehur se realiteti i pasqyruar në dokumentin e ditës së djeshme (25 janar) që iu dërgua KQZ është proces formal që pasqyron një realitet të vitit 2018.
Ai thotë se KQZ nuk e ka tagrin që të njoh realitete politike brenda një partie
Ivi Kaso: Komisioni i zgjedhjeve nuk ka tagrin që të njoh realitete politike brenda një partie. Verifikimi i ligjshmërisë së organeve të reja zgjedhore të PD, i atyre që janë zgjedhur më 11 dhjetor, por edhe atyre që janë zgjedhur në korrik, janë procese të cilat për fat të keq janë ende në Gjykatën e Tiranës.
Realiteti që pasqyrohet në vërtetimin e Gjykatës ditës së djeshme ka të bëjë me regjistrimet ose me ndryshimet e fundit që kanë ndodhur përsa i përket regjistrimit ligjorë në PD që janë ndryshimet e vitit 2018. Realiteti i pasqyruar ditën e djeshme është thjesht proces formal që pasqyron një realitet të vitit 2018.
Ndër të tjera ai tha se të gjithë subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhje, kanë nevojë të kenë një vërtetim të Gjykatës.
Ivi Kaso: Vërtetimi që del në datën 24 janar nga Gjykata ka vlerë që t’I përcillet Komisionit të zgjedhjeve. Subjektet të cilat do të garojnë në garën zgjedhore duhet të kenë një vërtetim të tillë.
I pyetur se si do të regjistrohen në zgjedhjet vendore, Kaso tha se fillimisht kandidatura do të përzgjidhen në bazë të primareve, ndërsa ka shtuar se janë në diskutime dhe me aleatët për t’u futur në zgjedhje si një koalicion
Ivi Kaso: Aktualisht Komisioni i Rithemelimit që në momentin e daljes së dekretit të Presidentit, ka marrë përgjegjësitë e veta duke zbatuar detyrimet statutore që burojnë nga statute i datës 11 dhjetor, i cili përcakton primaret si mekanizmin e vetëm me të cilin përzgjidhen kandidaturat e përfaqësimit të PD si në garën për pushtetit vendor.
Po ndodh një proces intensive, kontaktesh dhe diskutimesh dhe negociatash me aleatët. Jo vetëm ato që kanë qenë krah PD por të gjithë ato forca politike që ndihen vetëm në opozitë me këtë qeveri dhe me këtë keqqeverisje.
Shpresojmë të konkludojmë në një marrëveshje koalicioni, jo vetëm për të garuar në zgjedhjet e 6 marsit, por koalicion për të ngritur së bashku një front opozitar. Atëherë do të jenë forcat opozitare të koalicionit të cilat do të përcaktojnë dhe rrugën juridike se si do të regjistrohen në zgjedhje. Po zhvillohen kontakte intensive me të gjithë aleatët. Nuk di nëse aleatët që ne jemi në kontakt janë duke zhvilluar kontakte të tjera dhe është një çështje që nuk na përket ne. Besoj se me aleatët na bashkon vizioni për të ngritur një front opozitar për të bërë një opozitë ndryshe nga ajo që është bërë në 8 vite.
Përgatiti Anila Kolgjini.
