"Fashist e përçarës", Studentët: Fjalimi i Veliaj diskriminues dhe racist

Deklaratat e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ku fyen të rinjtë që jetojnë në konvikte janë cilësuar si raciste nga Studentët dhe aktivistët e lëvizjes për universitetin.

Fjoralb Nezha, nga lëvizja "Studentët dhe aktivistët e lëvizjes për universitetin" në një intervistë për gazetaren Sonila Musai në Ora News u shpreh se aksioni që ndërmorën dje ndaj Veliajt u pa i arsyeshëm për shkak të qëndrimeve diskriminuese  ndaj studentëve dhe veçanërisht konviktorëve.

"Ky aksion u mbajt nga aktivistët e "Lëvizjes për Universitetin" dhe u pa e arsyeshme për shkak të qëndrimit të tij diskriminues që mbajti mbi studentët dhe kryesisht konviktorët. Ky qëndrim përveçse është racist, në vetvete është edhe një lloj diskriminimi klasor. Fakti që ky lloj grupi është bërë pjesë e gjuhës fyese të Erion Veliajt normalisht që e pamë si detyrë studentore dhe prej aktivisti që të reagonim. Ky lloj diskursi publik përveçse është fashist dhe përçarës ndërmjet studentëve është edhe i rrezikshëm për vetë influencën mediatike që ka kryetari i bashkisë" tha ai.

Nezha u shpreh se fjalimi i Veliajt ishte “Qëndrim racist dhe diskriminues, ishte detyra jonë si studentë dhe prej aktivisti për të reaguar”.