"Janë 3 njerëz që nuk i ndahen pushtetit prej 30 vitesh", Basha: Do t'i kthejmë politikës fytyrën njerëzore
Lulzim Basha ndodhej në Korçë pasditen e sotme ku zhvilloi një takim me demokratët. Ai u prit me protesta nga mbështetësit e Berishës jashtë ambientit ku u zhvillua takimi. Basha tha se politika ka humbur tiparet njerëzore dhe ndershmërinë ndaj njerëzve.
Basha: Politika ka humbur fytyrën njerëzore. Mjafton të hapni medien dhe shikoni se si ka një garë për protagonizëm me një gjuhë të shfrenuar, 3 njerëz që kanë 30 vjet që nuk i ndahen karrigeve të pushtetit. Janë kthyer në 3 aktorë në një film, në një tragjikomedi, por në fakt është më shumë një dramë që rrëndon mbi kurrizin e shqiptarëve.
Institucionet janë kalbëzuar dhe janë kthyer në shërbim të këtij grushti njerëzish. Gjithë ky depresion shoqëror është pasojë e një ekonomie të rrënuar për shkak të institucioneve të kapura nga një politikë pa fytyrë njerëzore. Këto nuk mund të luftohen me fjalë, duan veprim dhe veprim urgjent. Ky ishte thelbi i programit tonë që u ndal dhunshëm më 25 prill. Kjo bëhet përmes pastrimit të politikës, vetingut të politikanëve, largimit nga politika të atyre që nuk justifikojnë dot pasurinë sepse kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe nuk meritotjnë asnjë minutë t'i përfaqësojnë ata.
Basha tha se të gjithë politikanët që vënë në shërbim të tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve krimin e organizuar. Mos dënohet me gjobë, por me 22 vite burg.
Basha: Italia e ka kategorizuar prekjen e votës si kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Po kështu edhe vrasja e votës vret shpresën, ekonominë, besimin, harmoninë, i fut në depresion prindërit dhe largon masivisht të rinjtë dhe shqiptarët nga vendit. Beteja jonë nuk bëhet për veten tonë, bëhet për shqiptarët dhe fillon nga garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
