Gugallja e Zoto në kërkim ndërkombëtar për incineratorët, Qyno: Kishin sinjale për veprimet e SPAK, Koka s'donte të largohej
Pas më shumë se një muaj kërkimesh brenda territorit shqiptar Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Policia e Shtetit të shpallë kërkimin ndërkombëtar për dy të kërkuarit e skandalit korruptiv të incineratorin e Elbasanit, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.
Në lidhje me këtë gazetari Elton Qyno, në një intervistë për RTV Ora, me gazetaren Kostana Morava është shprehur se shpallja e tyre është bërë që në muajin dhjetor, ndërsa ka shtuar se kjo çështje do vëmendje të madhe nga SPAK, media dhe opinioni publik.
Elton Qyno: Teknikisht është një procedurë ligjore dhe është shpallja e tyre është bërë që në muajin dhjetor kur u arrestua dhe Lefter Koka.
Procedura ligjore e kërkon që kontrollet që mund të kryhen në banesat që ku mund të fshihen ato. Është një çështje që do vëmendje shumë të madhe jo vetëm nga SPAK por edhe nga media, dhe nga opinioni publik që të reagojë për aferën e incineratorëve. Kemi një të arrestuar për incineratorin e Elbasanit, ndërkohë që kemi dhe dy incineratorët e tjerë që janë incineratori i Tiranës që nuk kemi ende asnjë vendimmarrje.
Ai tha se ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka, ka dëshiruar vetë të përballet me drejtësinë, duke preferuar që të mos largohet nga vendi.
Elton Qyno: Ish-ministri ka preferuar të rrijë këtu dhe të përballet me drejtësinë, po të donte do ishte larguar.
Me tej gazetari tha se Koka, Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë qenë në dijeni rreth veprimeve që po kryente SPAK, madje sipas tij ata kanë qenë në dijeni edhe kur SPAK i është drejtuar Gjykatës për të kërkuar arrestimin e tyre.
Elton Qyno: Kur ka nisur hetimi për incineratorët të gjithë këta personazhe kanë qenë në dijeni se shkresat e prokurorisë kanë shkuar në zyrat e tyre duke bërë dhe sekuestrimin e materialeve dhe sendeve të tjera., të cilat ishin të dobishme për hetimin. Në këto kushte ata kanë qenë në dijeni rreth veprimeve që po kryente SPAK. Ata kanë qenë në dijeni dhe kur SPAK i është drejtuar Gjykatës për të kërkuar arrestimin e tyre.
Më ka rezultuar se që prej tetorit të vitit 2021 Skela Gugallja është larguar nga territori shqiptar me linjën ajrore nga Rinasi në drejtim të Vjenës dhe nga ana tjetër dy muaj pas Stelës Gugalljas më 1 nëntor është larguar me linjën ajrore nga Rinasi në drejtim të Gjermanisë dhe Klodian Zoto.
Më tej ai tha se këto persona kishin sinjale, pasi në prokurori dhe në polici kishin njerëzit e tyre.
Elton Qyno: Pa dyshim që ata kanë pasur sinjale se çfarë po bënin prokurorët. Ata kanë pasur njerëz nga brenda SPAK apo dhe brenda policisë të cilët i kanë informuar për një situatë të tillë. Duke mos marrë garancinë nga këto oficerë ata kanë vendosur që të largohen. Ata janë larguar drejt Vjenës dhe Gjermanisë, por kjo nuk do të thotë se ndodhen në këto shtete. Mund të kenë përdorur dhe linja të tjera ajrore për t’u larguar nga Vjena dhe Gjermani me linja të tjera ajrore.
Teksa ka përgëzuar SPAK për punën e kryer për çështjen e incineratorëve, Qyno tha se ky institucion duhej të merrej dhe personat që fshihen pas kësaj çështjeje, duke përfshirë edhe Kryebashkiakun e Elbasanit dhe anëtarët e Komisionit të vlerësimit të ofertave.
Elton Qyno: Hetimi për incineratorët ka nisur nga SPAK, është një punë intensive e kryer nga prokurorët e SPAK. Unë mendoj se duhet përgëzuar për deri më tani me punën që ka bërë deri më tani për incineratorët, por ka pikëpyetje mënyrën se si ka vepruar për ta sjellë çështjen deri këtu.
Steka e SPAK nuk është ngritur më tej, as te Kryebashkiaku i Elbasanit as te anëtarët e Komisionit të velerësimit të ofertave që kanë miratuar të gjithë procedurën. Nuk jamë në gjendje të kuptoj pse janë arrestuar personat e tjerë që mund të konsiderohen si bishat e këtij operacioni. Mendoj se në ditët në vazhdim edhe për këta persona do të merret një masë.
Hetimi për këtë çështje ka nisur që në dhjetor, dhe të mos harrojmë se përballë SPAK nuk janë vetëm këta tre persona, SPAK ka përballë shtetin dhe këta tre individë kanë qenë njerëzit që punonin me shtetin. Nuk është e lehtë të hetosh dhe të shtrish gamën e rrjetës për të arrestuar persona të tjerë. Sa më shumë të arrestosh aq më shumë shtohet numri i personave të implikuar.
Përgatiti Anila Kolgjini.
