Stuhia e dëborës bllokon avionin e “Air Albania” në Stamboll

Stuhia e dëborës në Turqi ka bllokuar në aeroportin e Stambollit avionin e kompanisë "Air Albania."

Nëpërmjet një postimi në Facebook, vetë kompania konfirmon lajmin dhe thekson se ekipet janë në terren për të marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe mirëqenien e pasagjerëve. Kompania i bën thirrje pasagjerëve për durim dhe mirëkuptim.

"Një stuhi dëbore e paprecedentë ka paralizuar çdo lëvizje brenda dhe jashtë aeroportit të Stambollit, duke bllokuar çdo fluturim nga ky aeroport. Ekipet tona janë në terren, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe mirëqenien e pasagjerëve tanë, përballë kësaj situate me vështirësi të mëdha.

Jemi të keqardhur për situatën shqetësuese dhe mirënjohës për durimin dhe mirëkuptimin e treguar nga pasagjerët tanë."