U përpoqëm të ulnim gjakrat por... ", Dëshmia nga Lezha: Floriani ishte 5 vjeç kur i vranë të atin, humbi dhe të ëmën

Misionari i pajtimit te gjaqeve në Lezhë ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi sot Lezhën duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje fenomenin e gjakmarrjes.

Pjetër Gjoka thotë se dy familjet nuk ishin pajtua,r por mes tyre nuk kishte pasur përplasje gjatë kohëve të fundit, ndaj edhe ngjarja e sotme i ka habitur të gjithë.

Ai tregoi edhe një episod kur viktima Lek Lekëgjonaj i kishte shkuar në shtëpi pak ditë pasi i vëllai kreu krimin.

Gjoka shprehet se “negociatat” mes dy familjeve janë penguar për shkak se djali i viktimës në vitin 2009 ishte në moshë të mitur dhe e shoqja u vetëflijua duke pirë helm.

Më pas shton ai mes palëve nuk kishte pasur probleme që të jepte sinjalizime për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot.

"Kjo ngjarje që ndodhi sot na ka brengosur të gjithëve dhe mund të them ka tronditur gjithë qytetin e Lezhës sepse kemi qenë në njëfarë qetësie dhe na u prish pak qetësia. Ngjarja na ka tronditur të gjithëve. Mund ta konsideroj viktimë e ditës së sotme, viktimë sepse pavarësisht se vëllai i tij kishte kryer një vrasje vetë Leka është konsideruar një njeri i pafajshëm , i papërfshirë në konflikt. Kjo është akoma më e rëndë," tha ai.

Sipas tij shkak për vrasjen e sotme është edhe drejtësia e munguar pasi autori që i mori jetën babait të 17-vjeçarit Florian Pervathi bëri vetëm 4-5 vite burg dhe më pas u largua nga Shqipëria.

"Ngjarja ndodhi në vitin 2009. Unë familjen e njoh nga afër. Kam njohur edhe Lekë Lekgjonaj. Edhe i ati, edhe Leka, edhe vëllai i tij më kanë ardhur te shtëpia, më janë drejtuar dhe te zyrat për të më kërkuar ndërhyrje që situata të qetësohej. Vrasja e Përvathit, në 2009 ndodhi për çështje banale, ordinere, por për ngatërresa të çastit për bagëti dhe më pas ndodhi gjëma ku mbeti i vrarë i ati i Florian Përvathit.

La dy fëmijë dhe gruan e tij. Më pas shumë shpejt, gruaja e tij u vetëvra me helm. Këta dy fëmijë mbetën jetimë. Ngjarja u thellua më tej. Floriani në atë kohë ka qenë 4-5 veç. Është për të nxjerrë mësim se si një fëmijë 5-vjeç kur është bërë vrasja, e ka përjetuar sigurisht humbjen e dy prindërve që në atë moshë. Ajo moshë regjistron shumë.  Ai është gatuar me këtë gjë, me humbjen e të dy prindërve, që erdhi deri sot që me gjakftohtësi të kryente këtë krim.

Ai nuk ka bërë tentativë. Ka qenë krejt koshient për atë që ka kryer. Mosha e re bën punën e vetë. Leka u vra në vendin e vëllait të autorit të vrasjes të 2009.  Te shtëpia e tij, në oborrin e tij. Autori i ngjarjes e ka ndjekur viktimën derisa ka arritur ta vrasë. Disa media thonë se kanë qenë pajtuar. Jo nuk është e vërtetë. Ne kemi ndërhyrë me ato mundësi që kemi pasur, pasi s’ka pasur palë që ne mund të komunikonim gjatë. Fëmijët ishin të vegjël, bashkëshortja u vetëvra dhe s’kishim me kë komunikonim. Ne jemi përpjekur të ulim gjakrat dhe gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur përplase mes familjeve. Vëllai i viktimës së sotme, ka mbaruar dënimin, 4-5 vite burg. Ai ndodhet jashtë shtetit.

S’kishte mundësi që të merrte kush përsipër që të bëhej pajtimi. Deri në moment që ndodhi, askush se ka pritur. As nga familja e viktimës sot as nga ata të autorit. Është çudi e madhe se si ka mundësi që një adoleshent të ruaj kaq të freskët dhe me mllef atë ngjarje," tha misionari. 

Lezha u trondit paraditen e sotme nga një krim për gjakmarrje. 17-vjeçari Florian Përvathi vrau me armë zjarri Lek Lekgjonajn pasi vëllai i këtij të fundit i kishte vrarë babanë në vitin 2009.

Tragjedia u thellua akoma më shumë, kur nëna e të riut piu helm sapo mori vesh ngjarjen e rëndë.