"Ka një dëshirë nga Grupi i Rithemelimit për të ndëshkuar Bashën," Çollaku: Faturën do ta paguajnë demokratët

Vendimi i Presidentit ilir Meta për të dekretuar zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki ka sjellë një realitet të ri politik dhe për më tepër ka ndryshuar dinamikat brenda PD-së, e cila është në krizë prej muajsh, Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë dalë në takime me bazën në tentativë për të mbajtur sa më shumë mbështetës rreth vetes, por nga ana tjetër po  diskutojnë dhe po punojnë për kandidatët që do t'i përfaqësojnë në zgjedhjet e 6 marsit.

Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku i ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se për PD ky nuk është momenti më i volitshëm për të shkuar në një përballje politike elektorale me mazhorancën për shkak të situatës së brendshme në PD.

Çollaku: Ka një situatë të vështirë ose të ndërlikuar brenda. Ndërlikimi është i një natyre trishtuese, shop një vullnet sidomos nga disa eksponentë të komisionit të Rithemelimit për të mos u ndalur dhe karshi një dëshire që është një inat, me të drejtë, pa të drejtë nuk di të gjykoj, më duket se është një dëshirë e madhe për ta ndëshkuar Lulzim Bashën. Ky moment i zgjedhjeve të 6 marsit i ka ardhur si një moment kur të gjithë mezi presin të krijojnë situata që në datën 7 t'i thonë Lulzim Bashës shiko çfarë bëre, është faji yt.

Çollaku shtoi se në interesin politik të një individi apo grupi individësh mund të kishte një arsye politike, por në gjykimin e deputetit nuk ka asnjë arsye politike që ky inat dhe dëshirë për ndëshkimin e Lulzim Bashës të penalizojë demokratët e Shkodrës, Dibrës, Durrësit, Lushnjes, Rrogozhinës dhe Vorës.

Çollaku: PD ka potenciale që të fitojë zgjedhjet në të paktën 5 bashki dhe në rast se vrulli, etja, inati, dëshira për të ndëshkuar Bashën në vend që të kujdesen të fitojnë këto bashki. Faturën e këtij inati me sa duket do ta paguajnë demokratët.

Deputeti shtoi se zyrtarizimi i kandidaturave të PD-së për personat që do të garojnë në zgjedhjet e 6 marsit, do të vijë shumë shpejt pasi të tilla janë dhe afatet. Por sipas tij ka një problematikë politike e cila synon më parë të ndëshkojë Bashën.

Çollaku: Demokratët e këtyre zonave nuk kanë pse të vuajnë për sherret e Tiranës. Unë i ftoj të gjithë që t'i lëmë deri në datën 6 inatet dhe t'i kthehemi arsyes politike. Duhet të jemi të bashkuar dhe të shkojmë t'i fitojmë këto bashki.

Në terren, sipas Çollakut ky është meraku i gjithë demokratëve.