Dita e Arsimit, ministrja Kushi: Viti 2020-2021 i vështirë nga pandemia
Në ditën ndërkombëtare të arsimit, vetë ministrja Evis Kushi pranoi kolapsin dhe kaosin që ka pësuar sistemi arsimor në Shqipëri që nga nisja e pandemisë.
Situatë kjo, e cila është reflektuar edhe në rezultatet e ulëta në maturë.
"Viti shkollor 2020-2021 ka qenë një vit i vështirë. Duhet ta pranojmë që maturantët e vitit 2021 kanë pasur situatën më të vështirë ndër vite për shkak të masave që na është dashur të marrim përgjatë gjithë vitit shkollor. Mësimi me turne, herë-herë mësimi i kombinuar, mësimi online që padyshim reflektohet në përgatitjen e tyre dhe në efikasitetin e procesit mësimor," tha Kushi.
Ministrja ka pranuar infektimet në masë si te nxënësit dhe të mësuesit, por shprehet se karantinimi do të jetë edhe më i shkurtër.
"Nuk është nevoja që të rrinë 2 javë mësuesit në shtëpi, por e marrin veten shumë shpejt. Mungesat që kanë bërë mësuesit nuk kanë qenë në kohë aq të gjata," tha Kushi.
Dita ndërkombëtare e arsimit, i gjeti të boshatisura bangat e shkollave, për shkak të vendimit për mbylljen e tyre si pasojë e temperaturave shumë të ulëta. Ministrja u shpreh se ende nuk dihet nëse do të ketë ose jo një shtyrje vendimi për rifillimin normal të mësimit.
