Gjylameti: Presidenti gjithmonë ka qenë i njëanshëm në vendimmarrjet e tij. Situata në PD e pazakontë

Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, është shprehur se situata politike në vendin tonë është e pazakontë.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everst Dedaj, Gjylameti është shprehur se kjo situatë ka cenuar dhe bashkëpunimin mundshëm mes opozitës dhe pozitës për gjetjen e dialogut për figura apo institucione të rëndësishme

Blerina Gjylameti: Situatë politike është një situatë e pazakontë, sidomos në këto vitet e fundit kur herë pas here kemi parë ngjarje që kanë cenuar dhe atë që duhet të jetë bashkëpunimi mes Opozitës dhe pozitës për vendosjen apo gjetjen e dialogut për figura të rëndësishme apo institucionet të rëndësishme.

Teksa ka komentuar situatën brenda PD ajo thotë se aktualisht janë dy kryetarë brenda një partie. Ndër të tjera ajo shton se PS është në fazën ku po përcaktohet mënyra e re për të përzgjedhur kandidatët për Presidentin e Shqipërisë, pasi Ilir Meta është shkarkuar nga mazhoranca me shumicë votash.

Blerina Gjylameti: Kemi një PD e cila de fakto dhe de juro ka dy kryetarë të saj. Do duhet të shkojmë përtej faktit të gjetjes së një dialogu për një figurë konsensuale të Presidentit të Republikës. Ajo çfarë Rama përmendi në mbledhjen grupit të parlamentar të PS, ishte për t’iu drejtuar qoftë edhe mendimit të qytetarëve shqiptarë se kush mund të jetë figura më konsensuale për të  qenë në një nivel tjetër të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, pasi është ai që i bashkon palët. Ne jemi në fazën ku po përcaktohet mënyra e re për të përzgjedhur figurat kryesore apo ata që do të jenë kandidatët për Presidentin e Shqipërisë.

Gjatë gjithë këtyre viteve  që ne kemi qenë në pushtet ka qenë një dorë e shtrirë për PD apo për opozitën për të arritur që të kemi dialog, gjë e cila ka qenë e pamundur. Kemi parë nga ana e opozitës që ka pasur gjithmonë një debat destruktiv dhe kurrë  nuk ka pasur një dialog për të arritur përmbushjen dhe  adresimi i problematikave  të interesit kombëtar. Ajo që  ka ndodhur në PD nuk ka ndodhur kurrë. Vendit do i shërbente shumë më tepër një parti opozitare që të ishte alternative. Edhe qeverisë i shërben që të ketë një opozitë të fortë.

Gjylameti thotë se Presidenti i Shqipërisë duhet të jetë në nivelin që i takon, sakaq thekson se Meta nuk ka respektuar atë që thotë Kushtetuta, dhe sipas saj ai ka qenë i njëanshëm.

Blerina Gjylameti: Unë besoj se ka të bëjë me gjetjen e një emri që duhet të jetë emri konsensual apo ai që duhet të jetë mbi palët që ne të kemi ngritjen e figurës së presidentit në nivelin që duhet të jetë.

Ajo që ne kemi parë në këto vite është një President Republike që vetëm në atë çka Kushtetuta përcakton nuk ka respektuar asnjëherë. Ai ka qenë edhe kryetar de fakto i opozitës shpeshherë. Ka qenë i anshëm në vendimmarrjet e tij.

Përgatiti Anila Kolgjini.