"O njishi është private", Mbledhja e fshehtë e Veliaj dhe nata në hotel. Dështon skema e kryebashkiakut
Por çfarë ndodhi brenda takimit të Erion Veliajt me federatën rajonale të Tiranës natën e së dielës në një hotel të kryeqytetit. Pavarësisht presionit të bërë ndaj përfaqësuesve të federatës skema e tij për të blerë anëtarët dështoi për pasojë përkrahësit e Veliajt bojkotuan zgjedhjet për delegatet e 2 marsit.
Erion Veliaj ka humbur betejën e parë me futbollin dhe pikërisht në Tiranë në qytetin që ai drejton.
"Për sa kohë që 2/3 i kemi këtu mos e tradhtoni..." dëgjohet të thotë Veliaj.
Me deklaratën se ka 2/3 e votave të shoqatës rajonale të futbollit, Erion Veliaj u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet e FSHF. Madje siç dëgjohet në audio ju kërkon pjesëmarrësve në takimin e fshehtë të firmosin besnikërinë një nga një përpara noterit.
"Keni noterin aty, çdo gjë tjetër që ata mund ta kenë marrë aty nuk vlen," thotë Veliaj.
Këto janë pamjet e sallës të mbledhjes të së dielës mbrëma kur kryebashkiaku Erion Veliaj mblodhi mbështetësit e tij në shoqatën rajonale të futbollit. Pavarësisht se ai shprehet se takimi u bë i hapur dhe burrërisht, media nuk u lejua, madje duke u thënë se është ceremoni private dhe ditëlindje.
"O njishi është private."
Gazetari: Në çfarë kuptimi është private?
"Hiqe mo burrë atë, ça sheh ashtu.kamë unë ditëlindjen, çfarë do ti?"
Gazetari: Ok, edhe 100!
"Hajde ciao!"
Vetë Veliaj zgjodhi hyrje dytësore duke iu shmangur çdo pamjeje.
Por në takim veç fjalorit banal ai përmend dhe hetimet në RTV Ora.
"Siç erdhëm sot me burrëri që i pa televizioni vetë, bashkë me atë Ylli Pasmaçiun, se tek Ylli do përfundojë kjo histori," tha Veliaj.
Por ç'ndodhi më tej. Skema e Veliajt duket se nuk funksionoi, ndaj dhe mbështetësit e tij zgjodhën të braktisin zgjedhjet në shoqatën rajonale të futbollit të Tiranës.
"Gjetëm shumë më tepër se sa numri i duhur i delegatëve," tha Prodani.
Duket se ky ishte presioni i parë politik në zgjedhjet e një institucioni të futbollit, që do të vazhdojnë të paktën deri në fillim të marsit.
