Përplasje bandash në Vlorë e Fier, 23 persona ende të zhdukur në qytetin bregdetar, 8 vrasje në 1 vit në Fier

Vlora dhe Fieri panë një rritje kriminaliteti gjatë vitit të kaluar. Bandat kriminale ekzekutuan në mes të qyteteve e në periferi, ndërsa shumë vrasje mbeten ende të pazbardhura.

Me 23 persona të zhdukur në mënyrë misterioze Vlora mbetet një ndër qytetet më problematike për situatën e kriminalitetit.

Drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano në analizën e policisë lokale për 2021 nuk preferoi të flasë për këto krime teksa tha se disa ngjarje janë në hetim.

"Janë çështje nën hetim për të cilat ne do të kemi komunikime sapo të kemi diçka të re lidhur me këto ngjarje," tha Nano.

Edhe për vitin 2021 qyteti bregdetar ka qenë një fushëbetejë mes bandave kriminale për larjen e hesapeve.

8 atentate, 3 ngjarje të pazbardhura dhe një atentat me eksploziv bënë që kriminaliteti në qark të rritet me 6% në krahasim me vitin 2020.

Kriminaliteti në Fier u rrit gjithashtu në 2021.

10 vrasje nga të cilat 2 ende të pazbuluara,  8 vrasje të tjera të mbetura në tentativë, dhe me 14 plagosje të rënda tronditën çdo cep të qarkut.

Në analizën vjetore, drejtuesit e policisë lokale thanë se gjatë vitit të kaluar janë goditur 5 grupe kriminale në fushën e narkotikëve, të trafiqeve të paligjshme dhe krimeve ndaj personit.

Edhe dhuna në familje shënoi rritje në këtë qark ku u regjistruan 142 vepra penale, ndërsa 396 raste janë trajtuar me urdhër mbrojtjeje.