Rikthehet në teatër "Hello i am Mephisto", aktori Llupo: Është provokim social, të gjithë e gjejnë veten
Shfaqja "Hello i am Mephisto", “Përshëndetje, unë jam Mefsito” do të jepet sërish për publikun shqiptar në datën 27 janar në teatrin “Eksperimental”. Ajo do të vihet në skenë deri në datën 30.
Të ftuar në studion e “Jeto me Orën” në RTV Ora, ishin tre aktorët e shfaqjes Matias Llupa, Florist Bajgora dhe Ilia Kaçi, të cilët treguan më tepër rreth shfaqjes.
Frymëzuar nga “Fausti i Gëtes” shfaqja erdhi herë të parë për artdashësit shqiptar në muajin dhjetor në skenën po në Teatrin Eksperimental "Kujtim Spahivogli" .
Aktori Ilia Kaçi tregoi se si nisi e gjitha.
“E gjitha nisi me një audicion e më pas me një telefonat që e kisha fituar audicionin dhe isha si në ajër nuk e dija që isha bërë pjesë e një shfaqje kaq të madhe” u shpreh aktori.
Florist Bajgora aktori nga Kosova tregoi sesi u bë edhe ai pjesë e shfaqjes.
“Edhe unë me anë të një audicioni, jam ndjerë shumë mirë me këtë grup aktorësh. Kur vjen me një vullnet të madh për punën ja del të bëhet kjo punë e bukur” u shpreh aktori.
Edhe aktori Llupa tregoi:
“I gjithë kasti nisi me një audicion, dhe më pas vështirësia pasi ne bëjmë më shumë se një rol në skenë, i bëjmë të gjitha” u shpreh aktori.
Shfaqja trajton një sërë fenomenesh dhe përjetimesh, ku në fokus qëndron njeriu në marrëdhënie me të tjerët, apo dhe vetëm me veten e tij.
“Personazhet i kemi shpërndarë në shumë karaktere dhe kjo është e veçanta e kësaj shfaqje. Dhe janë të gjithë aktorët që e bëjnë rolin të gjithë ndryshe në forma të ndryshme dhe e gjitha është shumë e bukur. Personazhin ta bën më të lehtë partneri që e ka bërë para teje si rol dhe ne vetëm e vazhdojmë dhe kjo na e bënë më të lehtë punën” u shpreh aktori Bajgora.
Aktorët treguan se 10 veta që janë në skenë janë bërë një trup dhe është një frymë e mirë në grup.
“Hello i am Mephisto” vjen me një stil post-modernist, ku sfidon rregullat e teatrit tradicional.
“Është një provokim social, është një pasqyrë që sheh veten, sheh të mirën sheh të keqen do gjesh veten dhe të reflektosh nga provokimi që do marrësh gjatë shfaqjes” u shpreh aktori Llupa.
Ata treguan se janë shumë të lumtur për reagimet e njerëzve pas shfaqjes.
Shfaqje bëri bashkë një kastë artistësh nga Shqipëria dhe nga vendet e ballkanit, si: Kosova, Bosnja e Serbia në drejtimin e Dino Mustafic, drejtor i Teatrit Kombëtar të Sarajevës dhe aktori Bajgora tregoi këtë përjetim.
“Ishte një përjetim shumë i bukur pasi i gjithë ballkani u bë bashkë dhe kjo ishte shumë e bukur” përfundoi aktori.

