Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi bëhen bashkë në një dokumentar. Regjisori Andi Deliana: “Dakli” nis xhirimet së shpejti

Këtë pasdite në  emisionin “Jeto me orën” në RTV Ora ishte i ftuar artisti shqiptar Andi Deliana, i cili prej vitesh kontribuon në kinematografinë botërore. Ai rrëfeu për publikun eksperiencën e tij si aktor, regjisor dhe producent. Ai në studio u shpreh se u largua nga Shqipëria, pasi këtu nuk e gjente veten.

“Nuk kam besuar se mund t’a gjej veten këtu, ndaj jam detyruar të largohem. Atje e pash veten mirë, si fillim jam larguar në Francë, Kanada ku kam kryer edhe studimet, më pas në Amerikë. Kjo e fundit më ka dhënë atë ku jam ndjerë më mirë në anën profesionale. Ka shumë dinamikë në këtë vend, dhe njerëzit janë shumë punëtorë. Kam qenë me fat, pasi në karrierë kam pas mbështetje. Në Amerikë njerëzit janë bashkëpunëtor, të bëjnë të ndihesh njëlloj si ata aty. Por, në këtë vend duhet të bësh emër si fillim, pastaj të mendosh për para, të ardhura”, u shpreh Deliana.

Gjatë bisedës në studio ai u ndal në projektin që po punon i quajtur “Misioni”, i cili sipas tij flet për ngjarje të ndodhura në vitet 80, siç duket flet për periudhën e komunizmit. 

Filmi është quajtur “Misioni” flet për një ngjarje që ka ndodhur në vitet 80, por që ka lënë pasoja për të ardhmen. Për të parë se ku qëndron çelësi i gabimit, të asaj që kemi vuajtur në ato vite. Të këqijat e atij sistemi, pasi komunizmi në Shqipëri dihet që ka qenë shumë i ashpër. Nëse nuk kthehemi në të shkuarën, e ardhmja është e turbullt”, tha më tej ai.

I pyetur se cilën pëlqen më shumë të ushtroj mes aktrimit dhe regjisë, ai zgjodhi regjinë.

“Mes regjisë dhe aktrimit, do të zgjedh regjinë. Projekti që ma ka rrëmbyer zemrën është ai që po punoj tani. Ndërsa, ai projekt që m’ka dhënë më shumë sukses është “The Perfect Gangster”, një projekt që u bë shumë viral nga të gjithë. Saqë kur ecja në rrugë më thirrnin njerëzit “Xhoni”, që është roli kryesor”, tha më pas ai. Së fundmi artisti foli për projektin e radhës, që është një dokumentar i titulluar “Dakli” ku do të përfshihen  shumë politikanë shqiptar më me  emër të viteve 90, si Aleksandër Meksi, Albert Brojka etj.

“Projekti i ardhshëm është një dokumentar “Dakli”, ku do të përfshihen shumë politikanë si  ish-kryeministri Berisha, Aleksandër Meksi, etj. Në këtë projekt do të ketë tematika të viteve 90, këto personazhe kanë një ekoluenc për të sjellë për herë të parë gjëra të reja dhe interesante, sesi shihen ata ngjarje pas 2-3 dekadash”, përfundoi ai.