Shembet Kisha 7-shekullore në Lezhë, objekti i kultit u la në harresë derisa u rrënua
Trashëgimia kulturore po humb një tjetër monument me status të mbrojtur. Kisha 7 shekullore e Shën Kollit në Zejmen të Lezhës është kthyer në rrënoja për shkak se është lënë në harresë.
Kjo është ajo çfarë ka ngelur nga Kisha e "Shën Kollit" në Zejmen të Lezhës.
Ky objekt kulti monument kulture që i përket shekullit të 13 nuk i rezistoi kohës dhe së fundmi është shembur thuajse plotësisht.
Muret kanë rënë, duke humbur në këtë mënyre dhe gjurmët e afreskeve të cilat vlerësoheshin për vlera të jashtëzakonshme historike.
Tashmë janë një tjetër dëshmi e dështimit të institucioneve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
"Është keqardhje e madhe që kjo Kishë mbeti kështu në këtë gjendje për 30 vite me radhë nga shteti shqiptar dhe ministria e Kulturës ," tha studiuesi Dom Nik Ukgjini.
Harresa deri në shembje e kishës 700 vjeçare ka zemëruar banorët e zonës, të cilët e kishin pikë referimi për ritet fetare.
"Për ne është një keqardhje e jashtëzakonshme. Për fat të keq ajo që vumë re që ka humbur, gjurmët e afreskeve sidomos edhe muret gjithashtu," tha Padër Landi Jaku, banor i Zejmenit.
Referuar historikut të kësaj Kishe pjesët më të vjetra ishin në murin verior, i cili tashmë është shembur plotësisht.
