Koronavirusi futet në Teatrin Kombëtar, infektimi i dy aktorëve pezullon të gjitha aktivitetet

Shfaqjet në Teatrin Kombëtar janë pezulluar për shkak të infektimit me Covid të disa aktorëve.

Teatri Kombëtar ka njoftuar në rrjetet sociale se dy nga aktorët protagonist në produksionin "Coriolanus", kanë rezultuar pozitiv, por gjithashtu vendimi vjen edhe për shkak të shqetësimit të përhapjes në masë të infeksionit në ditët e fundit.

Në këtë shfaqje luajnë 80 aktorë, ndaj edhe frika e përhapjes në masë të infeksionit është më e madhe.

“Masat anti-Covid në teatër, detyrojnë që të gjithë punonjësit që për shkak të funksionit të tyre, kanë kontakt me publikun do t'i nënshtrohen testimit. Këtu përfshihet edhe biletaria jonë, e cila, për arsyet e sipërpërmendura, do të qëndrojë e mbyllur deri ditën e hënë, 17 janar”, thuhet në deklaratë.

Spektatorët të cilët kanë blerë bileta për shfaqjen e Shekspirit do të kenë mundësi ose ti kthejnë ato, ose ti përdorin në momentin e parë që "Coriolanus"do të vihet në skenë.

"Shfaqja e parë që do të zbresë në skenë pas kësaj periudhe pezullimi do të jetë "Coriolanus".Të gjithë spektatorët që posedojnë bileta për shfaqjet e datave 13-14-15 dhe/ose 16 Janar njoftohen se bileta e tyre do të jetë e vlefshme për shfaqjen "Coriolanus" në momentin e parë që do të rikthehet në skenë; mund të rimbursojnë biletën e tyre pranë biletarisë tonë duke filluar nga data 17 Janar 2022, brenda orarit zyrtar [9:00-13:00 & 16:00-19:00]".

Në 1 korrik të 2021, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të lejojë shfaqet teatrale pas një ndërprerje që prej nisjes së pandemisë, por me kusht që numri i spektatorëve të ishte 30% e kapacitetit.

Aktualisht masat anti-Covid kufizojnë orarin e lëvizjes, muzikën pas orës 23:00 dhe kërkojnë mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura.

Këtë të martë Shqipëria kapi rekordin e infektimeve më Covid në 24 orë ku u raportuar mbi 2100 persona të prekur, e megjithatë Komiteti Teknik i Ekspertëve ende nuk është mbledhur për të vendosur nëse do të ketë masa të reja apo jo.