Gjakoset “Shkalla e turqve”
Një akt i rëndë vandalist ka dëmtuar një nga pasuritë më të rëndësishme të natyrës siciliane e një nga pikat më të vizitueshme turistike italiane.
Persona të panjohur kanë "gjakosur" me bojë të kuqe, "Shkallën e Turqve" një monument shkëmbor i bardhë që ngrihet buzë detit në provincën e Agrigjentos.
I krijuar nga natyra në formë shkallësh të bardha borë, sipas legjendës thuhej se ishte një vend i frekuentuar nga lundërtarët e piratët turq për të ndaluar e u mbrojtur nga erërat forta të detit.
Këta vandalë kanë hedhur në këtë vend piktoresk, i cili është ndër më të vizituarit nga turistët, pluhur të kuq, që mendohet të jetë oksid hekuri, duke e njollosur e dëmtuar në disa vende bukurinë e tij natyrore.
Prokuroria e Agrigjentos ka hapur një proces hetimor për të identifikuar autorët e këtij akti vandalist, të qëllimshëm. Mendohet se thasët me pluhurin e kuq, kanë mbërritur me automjet në afërsi të këtij masivi shkëmbor e më pas janë mbajtur në krah për të dëmtuar zemrën e këtij vendi unik.
"Shkalla e turqve" është një nga monumentet natyrore simbol i ishullit të Sicilisë, nga i cili janë frymëzuar shkrimtarë të njohur italianë si Andrea Camilleri.
Një grup të rinjsh vullnetarë sicilianë së bashku me një ekip ekspertësh prej disa orësh janë vënë në punë për të eleminuar dëmin e bërë.
"Rajoni i Sicilisë e komuna e Realmontes së bashku me teknikë e vullnetarë të shumta kanë mundur këtë mëngjes të eleminojnë me hidrothithëse pluhurin e kuq", ka informuar përmes një fotografie Guvernatori i Rajonit të Sicilisë Nello Musumeci, duke falenderuar vullnetarët e operatorët ekspertë.
Ndërsa shoqata e Arekologëve italianë e cila ka mundësuar për RTV Ora e Ora News këto fotografi, ka deklaruar se do të jetë palë civile në procesin gjyqësor për të dënuar vandalët e këtij akti të rëndë.
"Shkalla e turqve" është kandiduar për të qenë vend pasuri e Uneskos.


