Sërish para për Idromenon e Marubin, varret monumentale të korifejve të artit do kthehen në identitet

Varret monumentale të Kolë Idromenos dhe Marubit në Shkodër, do t'i nënshtrohen një rikonstruksioni të ri 7 vite pas ndërhyrjes së parë që rezultoi e dështuar. Puna pritet të nisë të pranverë.

7 vite pas ndërhyrjes së parë që rezultoi e dështuar, dy varret monumentale të Kolë Idromenos dhe Marubit, do t’i nënshtrohen një tjetër rikonstruksioni.

Në pranverën e këtij viti pritet të nisin punimet në varrezat e Rrmajit në Shkodër, për të kthyer në identitet vendprehjen e korifejve të artit.

"Varrezat e Rrmajit janë monument kulture, kategoria e parë dhe janë shpallur me vendim të ministrisë së Kulturës në vitin 2017. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e ka në prioritet të punës së saj për vitin 2022 një kujdes të shtuar dhe një vëmendje të shtuar karshi varreve monumentale," tha Besara Podgorica, drejtore Rajonale e Trashëgimisë Kulturore.

Që të mos përsëritet skandali i projektit të vitit 2015, ku 6 muaj pas restaurimit, dy varret monumentale kthyen në gjendje të mjerueshme, këtë herë gjithçka do të kalojë në filtrin e forumit të specialistëve të restaurimit.

"Ne me specialistë të cilët e njohin shumë mirë topologjinë e ansamblit të varreve monumentale të cilët do të bashkëveprojnë dhe do të krijojnë një ekip teknik i cili do gjykojë se cila do jetë ndërhyrja më e mirë," tha Podgorica.

Varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër janë monument kulture i kategorisë së parë dhe në bashkëpunim me arqipeshkëvinë metropolitane, do të punohet për një menaxhim dhe mirëmbajtje ndryshe të tyre.

Këto varreza janë të një lloji të veçantë ku përfshijnë katakombe dhe monumente të tjera origjinale të periudhës mesjetare.