Lezhë-Vau Dejës rrezikon bllokimin, ka pësuar shembje, shoferët: Të ndërhyhet menjëherë, burim aksidentesh!
Shembja e gurëve ka bllokuar njërin kah të lëvizjes në rrugën nacionale Lezhë-Vau i Dejës. Për shkak të neglizhencës se autoriteteve rruga rrezikon të bllokohet e gjitha. Drejtuesit e automjeteve bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente për të shmangur aksidentetet.
Kjo është rruga nacionale Lezhë-Vau i Dejës, një kah i së cilës është bllokuar nga shembja e gurëve.
Ka një vit në këtë gjendje, është kthyer në rrezik për udhëtarët.
"Skandal, kemi frikë me kalu, vetëm Zoti kur ta prishë krejt."
"Ura ka dhënë shenja, nga dita në ditë po agravon për tu rrëzuar. Jo vetëm kjo, janë edhe 3-4 të tjera këtu në zonë."
Banorët e zonës e drejtues mjetesh kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, pasi lëvizja në këtë aks është burim aksidentesh.
"Një ditë kaloi një shok tjetër, mirë që nuk ra brenda. I hapa rrugën, shumë problem kur nuk e njohin zonën.Kërkojmë ta rregullojnë po pati shtet, po nuk ka shtet."
"Është situatë e frikshme dhe burim aksidentesh."
Rruga Lezhë-Vau Dejës është në varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Deri tani janë vendosur disa goma dhe rrethimi me shirit në vendet ku ka shembje.

