Situatë problematike në Dibër nga ngricat, termometri zbret -17, disa fshatra në izolim prej ditësh

Acari vijon të ketë mbërthyer Qarkun e Dibrës pasi temperaturat gjatë natës kanë zbritur në - 17 gradë celsius.

Më problematike situata mbetet në zonat e thella malore ku ka prezencë të madhe të akullit në rrugë.

 Fshatrat e Krastës, Ostrenit e Trebishtit si dhe Tërnova e Madhe e Zerqanit janë pa komunikim për shkak të sasisë së madhe të borës dhe akullit në rrugë.

"Shkollat janë të mbyllura sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për tre ditë, temperaturat 117 Gradë, nuk dilet jashtë. Krasta është e izoluar" thotë një banor.

Në Bashkinë e Dibrës fshatrat e Lurës, Kalasë së Dodës, Selishtës etj janë pa komunikim.

Probleme ka edhe me furnizimin me ujë të pijshëm. Ngrirja e tubacioneve ka lënë pa ujë banorë në qytetin e Peshkopisë por edhe të Bulqizës si pasojë e ngrirjes së tubacioneve dhe çisternave. Pa ujë të pijshëm janë edhe fshatrat Shumbat e Sohodoll në Dibër.

Situatë problematike mbetet edhe furnizimi me energji. Prej dy ditësh grupet e OSHEE po punojnë për rikthimin e rrymës në zonën e Lurës, pasi ka patur dëmtime të rrjetit përcjellës për shkak të borës.