Prokuroria nis verifikimet për Armand Dukën. Policia bëri referim pas akuzave të ngritura nga Veliaj

Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet paraprake për një referim që policia e shtetit ka bërë për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Burimet kanë bërë të ditur se dosja është dorëzuar në muajin dhjetor, pikërisht në kohën kur kryebashkiaku Erion Veliaj nisi dhe presionin për të ndaluar rikandidimin e Dukës.

Pikërisht një ditë më parë nga bashkia e Tiranës në disa media u shpërnda lajmi për angazhim ndërkombëtar, të spak , prokurorisë dhe policisë për të hetuar dukën.

Ndërsa nga ana e federatës  përmes një konference për shtyp është kërkuar që Veliaj të ndalojë presionin dhe shantazhin dhe të lejojë zgjedhjet e lira. Madje për këtë është informuar edhe FIFA.

Në dokumentin e dorëzuar organizatës ndërkombëtare të futbollit thuhet se në emër të Veliajt u është bërë presion dhe ofruar para për tu tërhequr nga gara.

Debatet vijnë pikërisht në ditën kur do të zhvillohen dhe zgjedhjet për shoqatën rajonale të futbollit të kryeqytetit e cila përfaqësohet nga gjashtë delegatë në votimin e presidentit të FSHF.

Nuk është rasti i parë

Në fakt ky nuk është rasti i parë kur politika ndërhyn në zgjedhjet e Federatës.

Edhe ish kryeministri Sali Berisha tentoi hetimin, ashtu si dhe më pas kur kandidoi Bashkim Fino. Në të dy rastet ka qenë FIFA që ka kërkuar nga politika të qëndrojë larg, duke deklaruar se fondet e federatave të futbollit nuk mund të auditohen apo hetohen nga prokuroritë e shteteve.