Tri identitetet e Bledar Muçës, mbërrin nga Belgjika dosja me lidhjet e tij me botën e krimit dhe drogës
Policia belge i përcjell homologëve shqiptarë dosjen me të dhënat e Bledar Muçës, ndërsa kërkon informacion për tre identitetet e 39- vjeçarit nga Elbasani që u kzekutua në qytetin Antwerp. Mësohet se policia po verifikon disa persona që rezultojnë të kenë pasur konflikte me Muçën.
Autoritetet belge i kanë përcjellë informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Shqipëri për veprimtarinë e 39- vjeçarit Bledar Muça, i ekzekutuar me armë zjarri në qytetin Antwerp.
Në dosje përfshihen dyshimet që lidhen me autorët e vrasjes, ndërsa pistë kryesore mbetet ajo e larjes së hesapeve.
Në informacionet e dërguara janë renditur edhe problemet që ka pasur viktima gjatë kohës së qëndrimit në Belgjikë.
Palës shqiptare i është kërkuar gjithashtu informacion për 3 identitetet që perdorte Bledar Muça.
Mësohet se 39-vjeçari përdorte pasaportë angleze dhe kjo nuk e pengonte për të udhëtuar në disa shtete të Evropës.
Drejtoria e Përgjithshme e Policise pritet që ti përcjellë Drejtorisë së Elbasanit një sëri porosish për të vijuar më pas edhe hetimet në vendin tonë per zbulimin e autorëve dhe motivet e ekzekutimit.
Deri tani policia e Elbasanit po verifikon disa persona, të cilët ndër vite rezultojnë të kenë pasur konflikte me Bledar Muçën.
Një prej emrave shumë të përfolur në botën e krimit, Muça njihet si pjesë e grupit të Çapjave në Elbasan dhe mik i ngushtë Ardjan dhe Florenc Çapjas (xhaxha e nip), të dy këta persona të proceduar penalisht nga SPAK për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentjan Beqirit.
Prej muajit maj të 2021, periudhë kur në Elbasan u arrestua Ardjan Çapja dhe u shpall në kërkim Florenc Çapja, i cili mundi të largohet në Dubai, Muça braktisi Elbasanin, duke bërë një jetë mes Anglisë, Holandës dhe Belgjikës.
Pikërisht në këto shtete, Muça dyshohet se kryente trafikimin dhe tregtinë e kokainës.

