Masa për konfliktin Rusi-Ukrainë/ Amerikanët dërgojnë trupa dhe armatime në Evropën Lindore

Aleanca veriatlantike NATO dhe amerikanët janë të vendosur që të jenë gati për çdo eventualitet dhe përshkallëzim të situatës në Ukrainë.

"NATO do të vazhdojë t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur dhe siguruar të gjithë aleatët, duke përfshirë përforcimin e pjesës lindore të Aleancës. Ne gjithmonë do t'i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë," tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg këtë fillim javë.

NATO tha se Franca ka shprehur gatishmërinë e saj për të dërguar trupa në Rumani dhe Holanda do të dërgojë dy avionë luftarakë F-35 në Bullgari. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë në tryezë planin për të dislokuar trupat e tyre në ushtarake në pjesën lindore të Aleancës.

 Sipas medieve amerikane përllogaritet nga 1 mijë deri në 5 mijë trupa së afërmi, me mundësi dhjetëfishimi në rast të përshkallëzimit të situatës.

Lëvizja në krahun lindor, është një vendim i rëndësishëm dhe domethënës, pasi më herët, rusët kanë paraqitur kërkesat e tyre publikisht, ku kërkojnë që NATO-n të tërheqë trupat nga vende si Bullgaria, Polonia dhe Rumania, ndërsa aleanca ushtarake veriatlantike të marrë një pamje si ka qenë përpara vitit 1997, përpara se vendet evropianolindore të bashkoheshin.

Ndërkohë që tensionet mes amerikanëve dhe rusëve janë të larta për situatën në Ukrainë, palët janë ulur në tavolinën e bisedimeve për të dialoguar mbi situatën, por duket se mbajnë qëndrime të cilat janë tepër të largëta nga njeri – tjetri.