Rrugët e Korçës e Dibrës “kallkan”, fshatrat të izoluar

Akulli në rrugë po thellon problematikat në zona të ndryshme të vendit që pas reshjeve të dëborës janë pëfshirë nga temperatura nën zero. Fshatrat e thella janë të bllokuar, ndërsa në qytete banorët rrezikohen në trotuare.

Temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë përfshirë vendin edhe këtë të hënë.

Në Dibër, termomentri zbriti gjatë natës deri në 20 gradë nën zero, duke vështirësuar problematikat që krijuan reshjet e dëborës.

"-20 Gradë termometri gjatë natës. Është ftohtë."

Fshatrat e thella të Lurës, Kalasë së Dodës, Selishtës e zonave të tjera malore janë izoluar për shkak të trashësisë së borës dhe akullit.

"Shkollat janë të mbyllura sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për tre ditë, temperaturat 17 Gradë, nuk dilet jashtë. Krasta është e izoluar".

Ngrirja e tubacioneve për shkak të temperaturave të ulëta ka shkaktuar  probleme edhe me furnizimin me ujë në Peshkopi, Bulqize e disa fshatra.

Edhe juglindja është në pushtetin e të ftohtit polar me temperatura deri në -12 gradë Celsius.

Qyteti i Korçës është kthyer në një fushë patinazhi e ngrirë.

Banorët hodhën akuza ndaj Bashkisë për mungesën e hedhjes së kripës.

"Akull, thyen këmbë e kokë."

"Bashkia të hedhë kripë që njerëzit të ecin rehat."

Fshatrat e Panaritit, Mokrës e Lekasit janë të bllokuar, ndërsa vështirësi në qarkullim ka edhe fshtarat e Kolonjës, Devollit, e Pogradecit.

Akset nacionale turistike Korçë-Ersekë-Leskovik, Korçë-Voskopojë, Korçë-Dardhë janë të hapura.

Megjithatë policia këshillon përdorimin e gomave dimërore.

Në veri, termometri ka shënuar deri -11 gradë në Lepushë.

Rrugët Tamarë-Vermosh, Qafe Thore -Theth janë të hapura por rekomandohet përdorimi i gomave dimërore për shkak të rrezikut të ngricave.

Liqeni në Pukë ka ngrirë të hënën teksa tremometri atje shënoi -9.5 gradë Celsius.

Për shkak të dëmtimit të rrjetit shpërdarës, shumë zona nga jugu në veri kanë probleme në furnizimin me energji elektrike.