Banorët e Kukësit, thirrje Kurtit të heqë "traun" në Morinë: Për një thes misër 10 euro, paguajmë 30 euro PCR
Në ditën e 3 të masave të reja për të hyrë në Kosovë qytetarët e Kukësit kanë protestuar në pikën kufitare të Morinës. Qytetarët kundështuan masat e qeverisë Kurti që për të hyrë në Kosovë do të duhen 3 doza të vaksinës, ose dy doza dhe testi PCR.
Temperaturat ekstremisht të ulëta nuk i penguan qytetarët nga Kukësi që të protestojnë në pikën kufitare të Morinës.
Protesta ishte kundër vendimit të qeverisë së Albin Kurtit që qytetarët që hyjnë në Kosovë të jenë të vaksinuar me 3 dozat e vaksinës ose 2 doza dhe testi PCR.
Të revoltuar ata kërkuan lehtësimin e menjëhershëm të masave.
Duke i quajtur barriera këto masa, qytetarët thanë se po pengohet lëvizja e lirë tek familjarët e tyre në Kosovë.
"Mos të kërkojnë tampon për një vizitë ngushëllimi te miqtë tonë, boll 40 vjet nuk i pamë me sy. Ne kërkojmë të sensibilizohet qeveria e Kosovës, të marrë parasysh kërkesat tona."
"I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të heqë vaksinën e tretë dhe tamponin 30 euro, nuk kemi mundësi të paguajmë. Ne shkojmë për ndonjë pazar, për një thes misër që bëhn 10 euro duhet me pagu 30 euro PCR."
Prej së premtes së kaluar qeveria e drejtuar nga Albin Kurti për shkak të rritjes së madhe të rasteve me koronavirus në Kosovë ka marrë masat e reja, që përfshijnë edhe kërkesat për 3 dozat e vaksinës.

