Legalizimi i kanabisit, ekspertët e Policisë: Nismë e rrezikshme, çon në krijimin e monopoleve!

E ndërsa qeveria ka vendosur të marrë mendimin e qytetarëve për këtë nismë, janë ekspertët e Policisë ata që japin alarmin dhe kundërshtojnë legalizimin e bimës narkotike, qoftë edhe për nevoja mjekësore.

Ata njëzëri ngrenë dyshime të forta që lidhen me krijimin e monopolit në individë që kanë lidhje me pushtetin, por po ashtu tregojnë se një hap i tillë jo vetëm do të rrisë aktivitetin kriminal, por madje edhe do të krijojë probleme serioze me shtetet kufitare, nga ku do të bëhet edhe tregtimi i kësaj lënde.

Gazeta “Panorama.al” bisedoi me dy drejtues Policie, të cilët ndajnë thuajse të njëjtin opinion mbi legalizimin e propozuar nga qeveria.

Është kryekomisari Urim Rexhepi, një ish-drejtues i lartë Policie që sot nuk është më në radhët e bluve, i cili shpjegon se kur shteti nuk ka mekanizma të kontrollojë se sa pesticide përdoren në perime, si mund të kryejë dot kontrollin e llojit të lëndës që do të kultivohet.

Po ashtu, për këtë nismë dha mendimin e tij edhe një drejtues Policie që refuzoi të identifikohet për shkaqe që lidhen me punën e tij. Sipas tij, e vetmen e mirë, nëse mund të quhet e tillë, që do të ketë kjo nismë, është se kanabisit do t’i bie çmimi. Por edhe ai ngre dyshime mbi monopolizimin dhe luftën që do të nisë mes atyre personave që do të kenë këtë monopol.

LEGALIZIMI CENON SIGURINË KOMBËTARE

“Kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, kur nuk është bërë e mundur të ndalohet apo parandalohet në kushtet e paligjshmërisë, i legalizuar është shumë herë më problem dhe më i dëmshëm.

Ndaj ne, pra vendi ynë, e kemi të pamundur të ndërtojmë rregullat e duhura apo akte ligjore që do të parandalojnë problemet mes poseduesve të licencave. Ne njohim rastin e Maqedonisë që e ka legalizuar dhe që ka shfaqur mjaft probleme dhe se poseduesit e licencave jo rrallë ankohen për abuzime nga konkurrentët.

Pra, askush nuk mund të thotë se s’mund të ketë abuzime”, kështu e nis mendimin e tij për legalizimin e kontrolluar të kanabisit, lëndës që iu ka marrë jetën dhjetëra shqiptarëve sidomos 8 vitet e fundit, në beteja të përgjakshme mes grupeve kriminale brenda dhe jashtë vendi.

I pyetur se si mund të rregullohet si çështje nisma e qeverisë, kryekomisari që ka drejtuar një sërë komisariatesh ndalet te mosfunksionimi i asnjë mekanizmi kontrollues në vendin tonë:

“Ne nuk e dimë se sa pesticide përdor fshatari në perime, jo më të kontrollojmë se çfarë lloj kanabisi do të mbjellë personi që fiton licencën për këtë bimë.

Pa llogaritur më pas se çfarë shtrirjeje mund të marrin ‘pronarët’ e kësaj sipërmarrjeje, të cilët do të jenë të lirë të operojnë në të gjitha format, shkak që do të rrisë pashmangshmërisht përplasjet mes tyre dhe personave të tjerë që do të hyjnë në këtë tregti.

Ne jemi dëshmitarë të dhjetëra historive të vrasjeve për parcela, vjedhje sasie lënde e deri te raportimet në Polici, ndaj legalizimi është një nxitje që ngjall frikë për sa u përket për plasjeve mes poseduesve të së drejtës për ta kultivuar dhe tregtuar kanabisin”.

“POLITIKANË SHQIPTARË, ME LICENCA NË MAQEDONI”

Drejtuesi aktual që refuzoi të fliste me emër për publikun tregon se legalizimi i kontrolluar i kanabisit bëhet vetëm për përfitime të një grupi të caktuar. Duke analizuar problemet që mund të sjellë kjo nismë, zyrtari thekson:

“Njoh politikanë që kanë licenca në Maqedoni. Ata do të jenë përfitues edhe këtu te ne. Por nuk është ky problemi. Fillimisht situata mund të vijojë e qetë mes ‘pronarëve’ të cilët do t’iu binden rregullave të lojës që do të vërë qeveria. Por më vonë, nëse legalizohet, do të ketë konflikte edhe më të përgjakshme se sa janë parë në kohën kur gjasme ishte e paligjshme!

Siguria kombëtare do të cenohej në shumë plane, ndërsa kam bindje se shtetet e huaja do të venë sanksione bllokimi të tregtimit të lëndëve që do të prodhohen në vendin tonë. Megjithatë, do ta ketë një të mirë, se çmimi do të pësojë ulje, por jo përplasjet mes grupeve të interesit. E në këtë mes, të humburit sërish do të jenë punëtorët…”./ Panorama