Ndryshime pa rezultat në polici, Ora News zbardh raportin: 100-ditëshi i fundit më pak produktiv se paraardhësi

Gledis Nano ndryshoi pjesën më të madhe të drejtorëve të policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve me qëllim përmirësimin e punës, por një raport i siguruar nga Ora News tregon se efiçenca e strukturave të rendit në Tiranë ka ardhur në rënie. Treguesit janë përkeqësuar si në kapjen e personave në kërkim, ashtu edhe në operacionet e realizuara si dhe numrin e armëve pa leje të sekuestruara. 

"Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, krahas masave të tjera kam vendosur të bëj disa ndryshime".

Pas lëvizjeve të drejtuesve të policisë në qarqe, ultimatumi preku edhe shefat e komisariateve.

Ndryshimet drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, i arsyetoi me performacën e dobët në luftën ndaj krimit ku vendosi që edhe për shefat e rinj një ultimatum.

Komisariati nr.6 në Tiranë ishte i vetmi që nuk ndryshoi drejtuesin Alket Shatro. Pikërisht ky komisariat në 100 ditëshin e Gledis Nano rezultoi me performacën më të mirë më kapjen e 8 personave në kërkim, 3 armë të sekuestruara si dhe më finalizimin e 5 operacioneve.

Pas komisariati nr 6, i dyti renditet komisariati 5 me drejtues Oliger Torbën, i cili qe prej marrjes së detyrës ka finalizuar 5 operacione, duke sekuestruar 5 armë zjarri si dhe ka kapur 7 persona në kërkim.

Komisariati nr 2 më drejtues Edmond Pjetrin, i cili mbulon një pjesë të mirë të territorit të Tiranës, ka arritur që në afatin 100 ditor të arrestojë 4 persona në kërkim, të finalizojë tri operacione si dhe të sekuestrojë 3 armë pa leje.

Po ashtu edhe komisariati nr 4 me drejtues, Petrit Halon, finalizoi 5 operacione si dhe ka arritur të arrestojë 4 persona në kërkim, duke kapur edhe një armë zjarri.

Komisaraiti nr 1 me drejtues Bujar Mehmetin duket se nuk i përmbushi rezultat e pritshme pasi në 100 ditë ka kapur 4 persona në kërkim, ka finalizuar një operacion dhe nuk ka sekuestruar asnjë armë pa leje.

Po ashtu edhe komisariti nr 3 numëron vetëm 3 persona të aerrestuar dhe asnjë operacion të finalizuar apo armë zjarri të kapur.

Nëse krahasohen këto statistika me 100-ditëshin paraardhës, së paku në Tiranë, duket se efiçenca e strukturave të policisë ka shënuar rënie.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, ka nisur një tur takimesh në drejtoritë vendore për analizën e punës gjatë vitit 2021 ku një nga porositë e dhëna për strukturat që ka në varësi është rritja e forcës të goditëse ndaj aktivitetit kriminal si dhe parandalimi e zbulimi i ngjarjeve të rënda.