Rama merr meritat e drejtësisë: Fajtorët e 21 Janarit, njëri në foltore tjetri në selinë e blinduar

Siç çdo vit, 21 janari i 11 viteve më parë, rikthehet nga mazhoranca qeverisëse si një akuzë politike ndaj kundërshtarëve të tij.

Në një kohë që opozita po përgatitet të hyjë në zgjedhjet e pjesshme vendore, Kryeministri me miqtë e tij virtualë në rrjetet sociale, drejtoi grishtin drejt Sali Berishës dhe Lulzim Bashës si fajtorë të 4 personave që mbeten të vdekur në protestën e thirrur nga Edi Rama.

Rama: Fajtorët e vërtetë në ato vrasje gjenden njëri mbi foltoret e atij revolucionit që synon të marrë SHQUP-in dhe tjetri pas dyerve të blinduara që synon të mbajë bravën e SHQUP-it.

Pas asaj protestë dhe me ardhjen e PS në pushtet, sipas Edi Ramës, drejtësia u pastrua nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Rama: Për reformën në drejtësi guri i themelit të munguar prej 100 vjetësh në këtë shtet. Vettingu vazhdon, llumi nuk mbaron. E ardhmja e drejtësisë për herë të parë qysh nga reforma në drejtësi nuk është blozë, e ardhmja është rozë. E sotmja patjetër që është më shumë blozë se rozë.

Ky proces, sipas shefit të qeverisë, po jep frytet e veta duke përmendur Gërdecin.

Rama: Është rihapur një nga dy kapakët e rëndë të dy tragjedive të mëdha, të dy vrasjeve shtetërore. Ai i Gërdecit që ju vu një kapak, siç u vu me 21 janarin, nga drejtësia e kalbësirave.

Edhe pse në diskutim me qytetarët, të cilët i kërkojnë llogari, shprehet se qeveria nuk mund të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë, Edi Rama harron ta mbajë inatin që ka ndaj gjyqtares, e cila ka dalë kundër projekteve të tij.

Rama: Një gjykatëse skandaloze, ordinere, i ra ndesh një projekti të madh të qeverisë për fëmijët.

Kritikat e tij nuk munguan as ndaj ish-aleatit të tij, që e zgjodhi dhe e shkarkoi me votë ne Parlament, presidentit Ilir Meta.

Rama: Çfarë mund të bëjë tjetër Ilir Meta përveçse të shpërndajë dekorata pa asnjë vlerë, pa asnjë kuptim, pa asnjë përmbajtje.

Në fund Rama e pranon që objektivi i tij është të mbetet në histori, pavarësisht rrugës politike të cilën ka përshkruar.

Rama: Të ishin gjërat kaq të thjeshta po ju them se do i kishin bërë të tjerë përpara nuk do ti vinte radha një piktori që të bëhej Kryeministër.