"Kishte erë dhe ngrica...", ndihmës-shoferi tregon si u aksidentua në Bullgari autobusi me pasagjerë nga Kosova
Ahmed Abazi, njëri nga shoferët e autobusit me pasagjerë nga Kosova që u aksidentua në Bullgari ka rrëfyer si ndodhi ngjarja.
Sipas tij, në momentin që ka ndodhur aksidenti, përveçse po frynte erë, edhe terreni ishte i rrëshqitshëm.
“Kishte shumë erë dhe rruga ishte e rrëshqitshme. Autobusi rrëshqiti, pasi për shkak të dukshmërisë në rrugë nuk e ka vërejtur kamionin”, tregon ai.
Sipas Abazit, ndërsa shoferi ka tentuar të shmangë ngricën është përplasur me kamionin.
Për fat të mirë nga aksidenti nuk pati të lënduar përveç kolegut të tij që drejtonte autobusin.
“Të tjerët janë të gjithë mirë dhe kanë vazhduar rrugëtimin, përveç meje që kam ndaluar për të larguar autobusin nga këtu”.
Ai ka thënë se në autobus udhëtonin 32 pasagjerë së bashku me dy shoferët.
Mjeti po udhëtonte për në Kosovë dhe mes pasagjerëve kishte edhe fëmijë.
Përplasja ka ndodhur rreth orës 4.30 të mëngjesit të sotëm, afër qytetit Kjustendill.
