"Fluturon" kurba në Serbi e Maqedoni të Veriut, rekord infektimesh dhe vdekjesh nga Covid

Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë regjistruar këtë të martë një rekord infektimesh dhe humbje jetësh nga Covid 19.

Në 24 orët e fundit, në Serbi janë konfirmuar 18,006 raste të reja me koronavirus, nga 39,740 mostra të testuara.

26 persona të tjerë vdiqën si pasojë e virusit.

Që nga fillimi i pandemisë, në Serbi janë regjistruar 1,467,198 raste të koronavirusit nga 7,703,703 mostra të testuara, dhe 13,124 pacientë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes.

Ndërkohë Maqedonia e Veriut regjistroi të martën 24 viktima dhe 2,269 raste të reja të infektimit me koronavirus.

Kjo shifër e të infektuarve përbën rekord prej prillit të vitit 2021, ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik në Shkup.

Numri i rasteve aktive në Maqedoninë e Veriut ka arritur në rreth 18,500 ndërsa i vdekjeve në 8,139, nga rreth 247,000 persona të diagnostikuar me këtë virus.

Sipas raportit të publikuar të martën, 1,420 persona janë shëruar në 24 orët e fundit.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri i të infektuarve me koronavirus brenda një jave ka shënuar rritje prej 33,9 për qind.

Nga 10 janari deri më 16 janar janë infektuar 11,200 persona, në 35 qytete të Maqedonisë së Veriut.

Numri më i madh i rasteve është në Shkup.