Amerika ‘prish’ planet e Abazoviç, Escobar mbështet qeverinë aktuale
I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka biseduar me ministrin malazez të financave, Milojko Spajiç ku sipas këtij të fundit ka dhënë mbështetjen e tij për qeverinë aktuale të Zdravdko Krivokapiç.
Përmes një postimi në faqen e Ministrisë së Financave të Malit të Zi, thuhet se Eskobar mbështet qeverinë aktuale, për sa kohë ajo është në rrugën euroatlantike.
"Ministri Spajiç u takua me ndihmës sekretarin e Shtetit, Eskobar, i cili tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin Qeverinë aktuale të Malit të Zi, përderisa Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq është e përkushtuar në rrugën euroatlantike dhe luftën e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit dhe për mirëqenien ekonomike të qytetarëve."
Po sipas njoftimit të ministrisë, Escobar theksohet të ketë thënë se SHBA-të do të respektojnë vullnetin demokratik të qytetarëve të Malit të Zi dhe nuk do të ndërhyjnë në proceset e brendshme politike të vendit.
Të mërkurën, kryeministri i vendit Krivokapiç njoftoi se do të shkarkonte zëvendësin e tij, Dritan Abazoviç nga Lëvizja Qytetare Ura, pasi ky i fundit inicioi nismën për rrëzimin e qeverisë.
Në 3 shkurt prite të mbahet seanca parlamentare në Podgoricë e thirrur nga Krivokapiç për shkarkimin e shqiptaro-malazezit.
Një ditë më vonë pritet të mbahet seanca për mocion mosbesimi ndaj Krivokapiçit, ku deputetët e partisë më të madhe opozitare në vend, ajo e presidentit Gjukanoviç pritet të rrëzojnë qeverinë.
Qeveria mund të rrëzohet nëse sigurohet një shumicë prej 41 deputetësh, nga 81 që ka gjithsej Kuvendi.


