Mali i Zi drejt zgjedhjeve, pas nismës së Abazoviç, kryeministri kërkon shpërndarje të Kuvendit
Kryeministri i Malit të Zi ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Vendimi ka ardhur pas nismës së deputetit shqiptar Dritan Abazoviç për formimin e një qeverie pakice. Në reagimin në twitter kreu i qeverisë e ka cilësuar pabesi, ndaj dhe propozon shpërndarjen e parlamentit.
Qeveria e Malit të Zi e formuar në 4 dhjetor të vitit 2020 duket se nuk do të shkojë më gjatë.
Pas nismës së dorëzuar në Kuvend nga deputeti shqiptar Dritan Abazoviç për formimin e një qeverie në koalicion me partitë e opozitës ka ardhur edhe kundërpërgjigja e kryeministrit Zdravko Krivokapiç.
Ky i fundit iu përgjigj me propozimin për largimin e Abazoviç nga posti i zëvendëkryeministrit.
Por po në mënyrë të menjëhershme ai ka hedhur në tryezë dhe një tjetër strategji. Shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në shkresë thuhet se nisma është inicuar me propozimin e qeverisë. Lajmin e ka bërë të ditur Krivokapiç përmes një postimi në twitter.
“Pas synimit të qartë të URA, DPS dhe satelitëve të saj për të zgjedhur një qeveri të re të pakicës në mënyrë jokushtetuese, bëhet e qartë se zgjedhjet e reja janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën më të keqe politike në histori”, thuhet në të.
Tashmë do të jetë parlamenti me 81 anëtarë që do të vendosë mes Nismës së Abazoviç që iu bashkua edhe partia e presidentit Millo Gjukanoviç, për formimin e qeverisë së re apo do të vulosen zgjedhje të reja.
Për shkarkimin e qeverisë mjaftojnë 41 vota nga 81 që ka.


