Gjukanoviç mbështet nismën e Abazoviçit për ndryshimin e Qeverisë
Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka njoftuar se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale të shtetit.
“DPS-ja mirëpret gatishmërinë e një pjese të shumicës parlamentare për të propozuar zgjidhje me përfaqësues të disa partive të pakicave, që do të çonin në zhbllokimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian”, tha partia e presidentit të Malit të Zi.
Kështu u përgjigj DPS-ja ndaj nismës për të formuar një qeveri të pakicës, si një model për tejkalimin e krizës politike në Mal të Zi.
Këtë propozim e ka prezantuar Lëvizja Qytetare Ura, që është në pushtet, dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS.
Koalicioni "Bardh e Zi" në Mal të Zi i udhëhequr nga zv.kryeministri, Dritan Abazoviç, nga Lëvizja qytetare "Ura" propozoi një qeveri pakice si model për tejkalimin e krizës politike në vend.
Abazoviç tha në një konferencë për mediet, se deputetët malazezë duhet të përkrahin modelin e një qeverie të pakicës duke përjashtuar dy partitë më të mëdha në vend për të zhbllokuar rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Europian.
Koalicioni ‘Bardh e zi’ kërkon që partia e presidentit Milo Gjukanovic dhe ajo pro serbe, Fronti demokratik të mos jetë në kabinetin qeverisës.
Propozimi për krijimin e një qeverie të pakicës ishte bërë një vit me parë nga lideri i partisë opozitare Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe qëllimi i tyre ishte që Abazoviç të zgjidhej kryeministër.
Një qeveri të pakicës e mbështeti nën zë edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve në Ballkan, Gabriel Eskobar.
Diplomati gjatë një interviste për Zërin e Amerikës në Serbi, tha të hënën se SHBA-të nuk mund të ishin partnere të partisë pro serbe Fronti Demokratik.
Qeveria aktuale e kryeministrit Zdravko Krivokapiç, që nga fillimi i mandatit ka qenë në shënjestër të kritikave nga strukturat e shumicës qeveritare.
